Injorimi që po u bëhet mjekëve të familjes nga ana e qytetarëve durrsakë ka bërë që qindra pacientë të dynden në të vetmen urgjencë spitalore që ka Durrësi. Fluksi i pacientëve që çdo ditë shkojnë në urgjencën spitalore të Durrësit gjatë 24 orëve mbetet shumë i lartë, duke sjellë edhe mjaft vështirësi për të gjithë stafin mjekësor që punon aty.
Sipas shefit të urgjencës së spitalit të Durrësit, Ashim Zogu, fluksi i lartë ka ardhur pasi qytetarët injorojnë mjekët e lagjes duke kërkuar asistencën mjekësore në urgjencë. Në ditët e para të vitit numri i pacientëve ka shkuar në 350 në ditë, kryesisht me viroza të stinës, por rastet e djegieve kanë qenë në rënie.
Shërbimi i urgjencës përballon numrin më të lartë të pacientëve, por ambientet dhe infrastruktura nuk janë në kushte optimale për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve që paraqiten në këtë repart. Një pjese e mirë e pacientëve marrin asistencën mjekësore në korridoret e këtij reparti, për shkak të numrit të ulët të shtretërve krahasuar me pacientët që paraqiten aty.
Zogu thotë se është shumë e domosdoshme shtimi i ambienteve dhe shtretërve. Zogu u bën thirrje të gjithë qytetarëve që përpara se t’i drejtohen urgjencës, duhet të paraqiten fillimisht te mjeku i lagjes, me përjashtim të rasteve emergjente.
K.H.





