Shëndeti oral duhet të konsiderohet si pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm, por një pjesë e madhe e njerëzve zgjedhin të shkojnë te dentisti vetëm atëherë kur problemet në dhëmbë ju shkaktojnë dhimbje të forta.

Aurora Celami, e cila prej shumë vitesh ushtron profesionin e mjekes stomatologe në qytetin e Durrësit, thotë se janë të paktë ata qytetarë që e kanë pjesë të rutinës së tyre kontrollin e dhëmbëve pa patur asnjë shqetësim në gojë.

“Janë të paktë ata që vijnë në mënyrë të rregullt, pa pasur asnjë lloj shqetësimi. Unë insistoj, madje bëhem edhe e bezdisshme. Tashmë kam bërë edhe një program, i njoftoj vetë që ka ardhur koha të paktën për të bërë një kontroll rutinë.”

Sipas mjekes stomatologe, për të pasur dhëmbë të shëndetshëm duhet të kujdesemi për ta çdo ditë në mënyrë të rregullt, nga vizita një here në gjashtë muaj te dentisti te larja e shpeshtë dhe e zgjatur.

“Për dhëmbët duhet të kujdesemi çdo ditë, në mënyrë të rregullt. Vizitat te dentisti një herë në gjashtë muaj janë të këshillueshme sepse parandalojnë prishjen e dhëmbëve. Nëse ke një prishje fillestare dhe ti vjen bën kontrollin, dentisti e dallon atë dhe e ndalon në momentin që është dhe dhëmbi vazhdon gjatë dhe shëndetshëm. Përsa i përket larjes, unë gjithmonë i këshilloj pacientët që t’i lajnë dhëmbët 2deri 3 herë në ditë dhe të zgjasin larjen deri në 3 minuta, mos të mjaftohen me larjen sipërfaqësore.”, shprehet ajo.

Mungesa e kujdesit, sigurisht që do të shfaqë pasojat në gojë, duke shkaktuar sëmundje të ndryshme. Stomatologia Celami shprehet se më të prekur nga këto sëmundje janë fëmijët, që janë më të prirur të kequshqehen.

Ndërsa ka ndryshuar puna përsa i përket më të rriturve, të cilët të vetëdijshëm për rëndësinë e dhëmbëve të bukur, tregohen më të kujdesshëm për t’i patur gjatë dhe shëndetshëm ato.

Por shpeshherë, pamundësia ekonomike i detyron të rinjtë të rregullojnë vetëm dhëmbët që duken, dhe jo dhëmballët në brendësi të gojës.

“Sëmundjet në gojë janë të shumëllojshme, mund të preken mishrat e dhëmbëve, do prekin zmaltin , sipërfaqet e dhëmbit, dentinën, mukozat e gojës. Çdo sëmundje në organizëm shfaq një specifikë në gojë.

Fëmijët janë më të prekur (nga sëmundjet e gojës) dhe pse janë të vegjël, pasi konsumojnë ushqime, sheqerna. Duke qenë se janë shumë të vegjël nuk mund të bëjnë shumë ndërhyrje. Ka filluar një sensibilizim tek adoleshentët, tek ata që janë në universitet dhe kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e dhëmbit dhe vijnë edhe kujdesen për to.”

Shenjat e dhëmbëve të prishur shfaqen në mënyra të ndryshme te pacientët. Mund të fillojë me përjetimin e të ftohtit apo të nxehtit në dhëmbë e deri në enjte të gojës. 

Kujdes të dyfishtë për dhëmbët, duhet të tregojnë patjetër edhe femrat të cilat janë në pritje të ëmbël. Kjo pasi, sipas mjekjes stomatologe, një paciente shtatzënë nuk mund të kryejë të gjitha shërbimet dentare nga muaji i parë tek i treti, apo nga muaji i shtatë në të nëntin.

“Mënyra ideale do të ishte para planifikimit të shtatzanisë. Kujdesi nga një grua shtatzënë duhet të jetë dyfish që te higjiena, mënyra e dietës, kontrolli te dentisti sepse një gruaje shtazënë nuk mund t’i bësh shumë procedura  sidomos nga muaji i parë në muajin e tretë, apo nga muaji i shtatë në të nëntin, para se të lindë.”

Pandemia e Covid-19, sigurisht që ka ndikuar edhe në këtë sektor. Siç shprehet mjekja stomatologe, pacientët sot kanë frikë të shkojnë të dentisti.

“Pandemia patjetër ka ndikuar në mënyrë negative në të gjitha drejtimet. Çfarëdo lloj vizite, është e evitueshme. Vijnë pacientët vetëm sepse kanë dhimbje apo një urgjencë.”, thotë Celami e cila ndonëse e prek nga afër situatën e rëndë të krijuar për shkak të koronavirusit, shfaqet optimiste për përballimin dhe mbijetesën ndaj virusit të rrezikshëm që na ka ndryshuar jetën prej disa muajsh.

Gertjana Daçi