Në person i dërguar dy ditë më parë në QSUT me çarje në aortë të zemrës humbi jetën në reanimacion.
Pas marrjes së lajmit të rëndë, familjarët e viktimës kanë dhunuar dy mjekët dhe një infermiere. Ata janë qëlluar me grushte dhe shqelma.
Ky rast nuk është bërë publik nga policia, por denoncohet nga partia “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës përmes një deklarate për mediat, sipas së cilës ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës.
“Në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", në Tiranë, arriti në urgjencë një pacient me aortë të çarë. Mjekët e reanimuan dhe shpejtuan ta fusin në sallë, por i sëmuri nuk jetoi, si pasojë e hemoragjisë. Duke sqaruar e ngushëlluar familjarët për sa ndodhi, dy mjekët dhe infermierja u përballën me pëllëmbët, grushtat dhe shkelmat e familjarëve të viktimës.
Kryeministri thotë se mjekët janë të gjithë të korruptuar dhe nxit urrejtjen kolektive të njerëzve ndaj tyre. Situata për mjekët është bërë e padurueshme, të gjithë mendojnë si të ikin një orë e më parë nga Shqipëria. Dhe faktikisht të gjithë mjekët e aftë po ikin. Si do të ketë mjekësi ky vend pa mjekë dhe infermierë të aftë?”, thuhet në njoftim.
“ZGJIDHJA” i kërkon kryeministrit të marrë përgjegjësitë dhe të garantojë sigurinë, dinjitetin dhe integritetin e njerëzve në krye të detyrës në përgjithësi dhe të bluzave të bardha në veçanti.





