Gjatë karrierës së saj politike dhe në administratën publike Natasha Paço ka mbajtur pozicione të larta drejtuese si deputete e PS-së, zv/ministre e Pushtetit Lokal apo prefekte e qarkut. Sa më lart ngjiten shkallët e karrierës aq më shumë kërkohet që performanca të jetë në nivelin më të lartë e për pasojë gruas i duhet të punojë dyfish më shumë se një burrë për të arritur objektivat sepse krahas profesionit ajo është njëkohësisht bashkëshorte e nënë,- thotë Paço.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Sigurisht, të jesh grua në karrierë në ditët tona, nuk është ndryshe nga periudha të tjera. Të jesh grua në karrierë do të thotë më shumë përgjegjësi dhe kujdes jo vetëm për familjen dhe fëmijët e tu, por edhe më gjerë…Përgjegjësi dhe përkushtim më shumë në komunitet. Dhe kjo nuk është e lehtë, apo jo? Problematikat janë nga më të ndryshmet, por është aftësia e gruas që i bën ballë jo rrallëherë eprorëve dhe vartësve meshkuj.
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Jo rrallëherë. Gruaja sakrifikon më shumë, sepse për të arritur objektivat e veta duhet të punojë dyfish më shumë se një burrë për shkak edhe të mjedisit burrëror që rrethojnë ambiente të ndryshme, bile edhe atje ku merren vendime. Dhe ka jo pak gra që ia kanë dalë.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Po është e vërtetë, gratë ndeshen me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrave të ndryshme. Jo pak burra ndihen mosbesues ndaj grave në pozicione të caktuara dhe grave u është dashur të punojnë shumë më tepër se një burrë analog për të fituar besimin e tyre. Dhe shumë gra ia kanë arritur.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Varet. Nga eksperienca ime politike edhe si Prefekte e Qarkut të Durrësit, por edhe si zëvendësministre e Pushtetit Lokal kam pasur një ekip të shkëlqyer grash e burrash, por ku bëhej një dallim i seksit femër. Ato, vartëset e mia zonja kanë qenë të mençura, punëtore dhe jo pak prej tyre drejtuese të shkëlqyera sektorësh të ndryshëm. Personalisht me to kam pasur marrëdhënie varësie të shkëlqyera dhe ruaj përshtypjet e mia më të mira. Është kënaqësi të punosh me gratë…, por duke bashkëpunuar edhe me burrat, duke bërë kështu një skuadër të plotë për realizimin e objektivave që i ke vënë vetes dhe shoqërisë.
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Në rradhë të parë duhet përmirësuar legjislacioni. Duhet të vazhdojë puna në Kuvendin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit shqiptar mbi barazinë gjinore me atë europian. Një gjë tjetër e rëndësishme është zbatimi i këtij legjislacioni, për t’i dhënë vendin që i takon gruas shqiptare në politikë, në administratë publike apo në biznes. Së treti, një bashkëpunim i qenësishëm burrë e grua për arritjen e objektivave në çdo fushë dhe e fundit, por jo nga rëndësia, një SOLIDARITET më i madh midis grave, kudo, në vendimmarrje, në administratë e biznes. Ky është ÇELËSI ynë i fitores për të mirën e familjes, shoqërisë dhe shtetit.