Një nga femrat durrsake më të suksesshme përsa i përket karrierës politike në PS rrëfen momentet kur iu bashkua këtij formacioni që sapo kishte kaluar në opozitë pas një humbjeje dramatike. Natasha Paço kujton se “uzurpimi” i PS-së nga të rinjtë solli gjallërimin e saj dhe rikthimin në pushtet.

Natasha Paço pranon se mënjanimi apo largimi i disa prej figurave të rëndësishme në formimin dhe konsolidimin e degës së PS-së në Durrës është bërë me metoda jodemokratike. E kjo sipas saj i ka kushtuar jo pak Partisë Socialiste. Një nga femrat më të angazhuara në politikë dhe në drejtimin e institucioneve dhe dikastereve të ndryshme në kohën e qeverisjes së PS-së rinxjerr nga kujtesa momentet e angazhimit të saj të parë në strukturat partiake dhe emrat e atyre që i dhanë formë një opozite që po dilte nga një humbje e thellë. Duke u ndalur tek Fatos Nano, i cili së fundmi ka prezantuar kandidaturën e tij për president, Paço thotë se,- “për shkak të kontributit, aftësisë dhe vizionit që ka Fatos Nano është një kandidaturë e mundshme për kreun e shtetit”.

Cilat janë kontaktet tuaja të para me degën e PS-së së Durrësit?

Ishte dhjetori i vitit 1991. Nga drejtuesit kryesorë të PS-së, dega Durrës ishin thirrur disa të rinj e të reja për të diskutuar për probleme të Durrësit. Mbaj mend që na kanë pritur në zyrën ku sot qëndron Prefekti i Qarkut. Çuditërisht rikthehem në atë zyrë pas plot dhjetë vitesh, në 2001, por tashmë në detyrën e Prefektes të Qarkut Durrës, Krujë.

Cilët kanë qenë sipas jush disa nga figurat, protagonistët dhe kontribuuesit kryesorë të kësaj dege?

Unë atëherë isha shumë e re, sapo kisha mbaruar fakultetin e shkencave politike e juridike në Universitetin e Tiranës dhe në ato vite kam njohur shumë figura, protagonistë dhe kontribues. Duke kërkuar ndjesë për ndonjë harresë, dua të kujtoj ato mbledhje të zjarrta ku diskutohej fort për reformimin e Partisë Socialiste.

Dua të rreshtoj, sigurisht Bardhyl Agasin, Spartak Brahon, Zihni Beqirin, Moikom Zeqon, Fatos Muçën, Lilo Zenelin me autoritetin e tij në mbledhjet e Komitetit Drejtues Durrës, Alqi Kadënasin, Skënder Nartën, Eqerem Shehun, Andrea Tolen, Ilirjana Kërçukun, Hëna Muçën e plot të tjerë.

Ju i përkisni një brezi të rinjsh që u anëtarësuan në PS, por dhe që patën një karrierë intensive politike. A mund të na rrëfeni faktorët që ndikuan në këtë drejtim (sa e moderoi ky fakt degën e Durrësit)?

Po, është e vërtetë. Unë i përkas atij brezi të rinjsh që hynë në parti në një mënyrë shumë sinjifikative. Ishte data 23 mars 1992, një ditë pas  konfirmimit të humbjes së madhe të PS. Mbaj mend që ne, një grup të rinjsh, kemi ndenjur gjithë natën në zyrën e zbrazët të kryetarit Agasi, i cili së bashku me Zihniun rrinin në zyrë duke pritur rezultatin e atyre zgjedhjeve.

Mbaj mend se pasi doli rezultati, asnjë njeri nuk hynte apo dilte në ambientet e partisë. Atëherë zyrat e partisë ishin përpara sheshit ku gjenden sot zyrat e Prefekturës. Në një situatë të tillë aq të rëndë, ne, disa te rinj, vendosëm të bëhemi anëtarë të PS-së. Kur ia thamë këtë kryetarit Agasi, ai u entuziazmua shumë dhe na tha se me hyrjen e shumë të rinjve në PS, do të vijë dhe fitorja e kësaj force politike.

Kështu ndodhi, apo jo? Unë me të vërtetë kam pasur një karrierë intensive politike, por kjo karrierë ka ardhur natyrshëm. Jam zgjedhur nënkryetare e forumit rinor dega Durrës në dhjetor 1991, kryetare organizate partie në lagjen time në 1992, kryetare e këshillit zonal  nr 3, ku pesë kishte gjithsej qyteti, anëtare e kryesisë së degës Durrës për vite me radhë, sekretare organizative e degës Durrës, anëtare e KPD-së, këshilltare rrethi apo bashkie, deputete, prefekte, zëvendësministre etj.

Këto detyra jam munduar t´i kryej me ndershmëri dhe pasion. E bëra këtë pasqyrë për të treguar që gjithçka ka ardhur natyrshëm dhe në bazë të kontributit. Sigurisht që ardhja e të rinjve e moderoi degën. Mbaj mend se në 1996, kur unë u zgjodha me votim të fshehtë sekretare organizative e degës së PS-së, po me votim të fshehtë u rinovua mbi 70% e kryesisë, që në të vërtetë shkaktoi tronditje. Por ai brez e justifikoi këtë ''uzurpim'' të PS-së me punë dhe përkushtim.

Në çfarë rrethanash dhe në cilin vit u formua dega e FRESH-it dhe Organizata Socialiste e Gruas në Durrës?

Personalisht nuk kam marrë pjesë në krijimin e Forumit të Gruas. Me sa më kujtohet me këtë janë marrë Hëna Muço dhe Ilirjana Kërçuku si dhe shoqe të tjera. Ndërsa Forumi i Rinisë, dega e Durrësit është krijuar në dhjetor të 1991, ku ishim një grup të rinjsh e të rejash si Gazmir Bizhga, Gjergj Koja, Genc Alizoti, Alfred Dhuli, Valbona Muça, Mariela Vando, Enkeleda Murrizi, Iliaz Labi, Aljosha Qamo, Roland Çobani e plot të tjerë. Në takim kishin ardhur Ilir Zela, Ndre Legisi, Flamur Metollari, Bledar Balla etj. Grupi i Durrësit ishte nga organizatorët më të rëndësishëm në takimin e madh për krijimin e FRESH-it, më 15 janar 1992, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Ç´mund të na thoni për marrëdhëniet mes pushteteve në kohën kur ju ishit në opozitë dhe në kohën kur ishit në pushtet (nëse ju kujtohet diçka pikante për mënyrën se si ishin përplasjet politike në nivel lokal)?

Në kohën kur ne kemi qenë në opozitë, marrëdhëniet kanë qenë shumë të ashpra, ndryshe nga koha kur kemi qenë në pushtet, ku këto marrëdhënie kanë qenë të moderuara. P.sh. vitet e para te pluralizmit kujtoj mbledhjet e gjata ku diskutoheshin heqje emrash dëshmorësh nga rrugët dhe shkollat me një egërsi të paparë…

Sa e përfaqësuar ishte dega e Durrësit në nivel qendror?

Durrësi ka patur disa deputetë socialistë, në nivel ministri apo dhe zëvendës ministri, por mendimi im është se duhet të kishte dhe më shumë.

Sa keni arritur ju si deputetë socialistë të Durrësit të mbroni interesat e qytetit dhe a mund të na përmendi projekte konkrete që janë realizuar në qytet falë ndikimit tuaj në politikën qendrore?

Në të gjithë veprimtarinë tonë ne jemi përpjekur të japim kontribut. Kështu sa herë është miratuar buxheti i shtetit në Parlament, ne kemi lobuar për rritjen e tij për Durrësin. Gjithashtu kemi trokitur me projekte në çdo ministri për marrjen e investimeve për rrugë, shkolla, ujësjellës etj. Mund të them se në kohën tonë ishte bërë rregull që pasi mbaronin punimet e Parlamentit ne në grupe takonim ministrat për këtë qëllim.

A mund të na bëni një krahasim në lidhje me mënyrën dhe cilësinë me të cilën funksiononte dega e Durrësit para dhe pas ardhjes në krye të PS-së të Edi Ramës? Çfarë ka ndryshuar për mirë dhe çfarë ka ndryshuar për keq në aspektin organizativ, por jo vetëm?

Shiko, ne nuk duhet ta ndajmë kështu. Unë them se qysh në fillim e deri tani kjo degë ka ardhur duke u reformuar, duke u shtuar në sasi e cilësi. Sigurisht momentet kanë pasur edhe karakteristikat e tyre. Atëherë opozita ka qenë në kushte më të vështira, ndoshta dhe për jetën, ndërsa sot situata është më e moderuar. Shumë gjëra janë përmirësuar në përputhje me kohën, por aty këtu ka dhe shkarje, sidomos në fushën e karrierës dhe kontributit.

Sa e përfaqësuar ka qenë dega e Durrësit në nivel qendror në kohën kur ju ishit protagoniste dhe sa është aktualisht?

Atëherë zgjedhjet ishin ballë për ballë me sistem mazhoritar dhe ne kemi fituar direkt në zonë shumicën, ndërsa sot sistemi me lista proporcionale e ndan Durrësin aty- aty. Besoj se në kohën tonë ka qenë më e përfaqësuar, por shpresoj që kjo tani të përmirësohet në të ardhmen.

A nuk ju duket që dega e PS-së aktualisht nuk ka atë intensitet aksioni politik sa kishte në kohën kur ju ishit protagoniste? A mendoni se pragmatizmi ka zëvendësuar idealizimin dhe militantizmin?

Shiko, e thashë dhe më lart. Nuk ngjajnë kohërat. Ato momente kanë qenë emocionuese dhe mjaft te rralla dhe nuk përsëriten më kurrë. Tashmë në përputhje më kohën, aksionet politike janë moderuar, por kjo nuk do të thotë që të mos kenë atë patos.

Cilat kanë qenë raportet tuaja me Fatos Nanon dhe a mendoni se ai është një kandidaturë e përshtatshme për president?

Kanë qenë raporte të mira në momente të caktuara, kur kam qenë në krah të tij dhe kur ai kishte të drejtë. Sigurisht që në këtë periudhë e  kam mbështetur fuqimisht, por kur ka qenë e nevojshme e kam ngritur edhe zërin kundër, sigurisht ballë për ballë dhe në forumet e partisë. Për shkak te kontributit, aftësisë dhe vizionit që ka, unë mendoj që Fatos Nano është një kandidaturë e mundshme për President.

Si e shpjegoni faktin që figurat kryesore të degës së PS-së së Durrësit janë mënjanuar nga hierarkia aktuale e PS-së, madje ka prej tyre si Spartak Braho apo Gjergj Koja që kanë ndërruar dhe formacion politik?

Po aty këtu me metoda jodemokratike janë bërë dhe mënjanime. Kjo i ka kushtuar jo pak Partisë Socialiste. Duke mësuar nga gabimet janë bërë përmirësime dhe besoj se do bëhen edhe në të ardhmen. PS-ja është një parti me të vërtetë demokratike që ka nevojë për kontributin e të gjithëve, të rinj e të vjetër, ato që japin me shumë apo më pak, në varësi të mundësive dhe aftësive. 

Cili është vlerësimi juaj për drejtuesit e degës aktuale të PS-së në Durrës?

Unë do vlerësoja se tashmë për herë të dytë pas Bardhyl Agasit, kemi një anëtar të Kryesisë së PSSH, Vangjush Dakon, një personalitet që sa vjen e rritet edhe më shumë në performancën e tij. Për këtë e vlerësoj shumë.

Për drejtuesit aktualë mendoj se janë djem te përkushtuar, punëtorë dhe me dëshirë për ta ngritur nivelin e degës së PS-së në maja sa më të larta. Besoj se të gjithë së bashku mund t´ia arrijmë. Besoj në fitoren e PS-së në Durrës në zgjedhjet e afërta parlamentare.