Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka zhvilluar takim me homologun gjerman, Heiko Mass në Varshavë të Polonisë.
Pacolli shkruan në Facebook se Gjermania mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa vlerëson kontributin ndër vite të këtij shteti të cilin e cilëson si një nga përkrahësit më të fuqishëm të Kosovës.
POSTIMI I PACOLLIT
Lajm fantastik nga ministri i jashtëm gjerman, Mass.
Në Varshavë, zhvillova një takim bilateral me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Mass, i cili tashmë konfirmoi se Gjermania me të gjithë mekanizmat e saj mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën. Partnerë si Gjermania, kanë ndihmuar çlirimin, pavarësimin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës, ndërsa sot na mbështesin në zhvillimin e vendit tonë.
Me homologun tim Mass biseduam gjithashtu për raportet që duhet ti intensifikojmë ndërmjet dyja vendeve tona.
Gjermania si njëri ndër përkrahësit më të fuqishëm të Kosovës vazhdon mbështetjen e madhe për Kosovën. I inkurajuar jashtëzakonisht shumë me mbështetjen e madhe gjermane për, vazhdimin e dialogut me Serbinë, rëndësinë e këtyre bisedimeve dhe arritja e një marrëveshje në mes dy shteteve në afat sa më të shkurtër.
Njoftova ministrin Mass për platformën e dialogut e cila ditë më parë u miratua në Kuvendin e Kosovës, dhe për gatishmërinë e palës kosovare për rifillim të dialogut.
I shpreha edhe shqetësimet për kampanjën agresive dhe shpifëse të Serbisë rreth njohjeve të shtetit të Kosovës. Mass theksoi rëndësinë e takimit të datës 29 prill ku janë të ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perendimor me ftesë të Angela Merkel dhe presidentit francez, Macron.