Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli i ka kërkuar Shqipërisë të mos rrijë duarkryq dhe të shikojë çfarë po ndodh në dialogun Kosovë-Serbi, por të jetë prezent së bashku me BE-në dhe SHBA-në në negociata.
Deklarata erdhi gjatë një konference të përbashkët për shtyp të Pacollit me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, këtë të premte në Prishtinë.
“Unë kam kërkuar nga pala shqiptare që të mos jetë duarkryq dhe të shikojë çfarë po ndodh këndej, por pala shqiptare duhet të jetë pjesë përbërëse e synimit tonë, ose në publik, ose pas kulisave, të jenë aty. Nëse mundet BE të jetë prezent, SHBA-të pse jo Shqipëria. Shqipëria mund të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh”, tha Pacolli.
Ai tha se dialogu me Serbinë është e domosdoshme të përfundojë shpejt, si për të mirën e Kosovës ashtu edhe të Serbisë, pasi të dy vendeve u intereson të avancojnë në integrimet evropiane.
“Çdo gjë është e hapur në diskutimet me Serbinë duke marrë parasysh faktin se Kosova është e pavarur në territorin e vet dhe kufijtë e Kosovës në deklaratën e pavarësisë duhet të respektohen edhe në të ardhmen. Kushtetutshmëria dhe integriteti territorial i Kosovës duhet të respektohet”, tha Pacolli.
Ndërsa Bushati tha se Shqipëria e ka mbështetur në mënyrë konsistente këtë proces, pavarësisht kush ka qenë dhe kush është në krye të punëve në Shqipëri apo Kosovë.
“Për sa i përket kësaj çështjeje, deviza jonë ka qenë që gjithmonë ‘Kosova është e para’ dhe kësaj devize i jemi përmbajtur me besnikëri, pavarësisht pozicioneve të ndryshme që aktorë të ndryshëm mund të kenë për çështje të karakterit lokal, kur vjen puna për këtë çështje ne kemi demonstruar një unitet dhe solidaritet dhe jam i bindur që edhe mesazhet e Pacollit, por edhe mesazhet e tjera flasin qartë për nevojën për të vijuar në këtë proces me durim strategjik, por natyrisht edhe me kreativitet dhe me vendosmëri për të konsoliduar Kosovën dhe arritjet e mundimshme të saj.”
Dy ministrat thanë se takimi i radhës mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillohet në Pejë.