Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht pas deklaratave të bëra në seancë nga Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Murseli, lidhur me një kontratë borxhi prej 100 mijë eurosh.

Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të mërkurën, ku Murseli po vazhdon dhënien e mbrojtjes së tij, ai konfirmoi ekzistencën e një parakontrate borxhi mes tij dhe Pacollit, duke theksuar se shuma ishte shlyer “në mënyra tjera”.

“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli, shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon afatin e shlyerjes së borxhit. Ka ekzistu, por është shlyer në mënyra tjera”, deklaroi Murseli para trupit gjykues.

Ai gjithashtu kërkoi nga Gjykata që t’i lejohet komunikimi me biznesmenin Pacolli, kërkesë e cila nuk u aprovua. Vetë Pacolli ka reaguar në rrjetet sociale duke dhënë versionin e tij.

“Sot është mbajtur një seancë në kuadër të procesit gjyqësor kundër Naim Murselit. Ndër të tjera, është diskutuar edhe për një kredi të garantuar nga unë për familjen Murseli (Liridona dhe Naimi).

Sot, shumë media të interesuara për këtë çështje kërkuan informacione dhe, në këtë kuadër, u sqarua se familja Murseli, në atë kohë, kishte blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.

Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në KOMPENSIM, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale. Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi, por nga ana ime nuk ka pas asnjë trusni për ndonjë kthim urgjent”, shprehet ai.