Po përgatitet padia e parë kundër Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Bashkisë Durrës lidhur me shembjet e kryera në zonën e Urës së Dajlanit, ku më datë 26 të muajit të kaluar u prishën disa banesa që ndodheshin prej vitesh në proces legalizimi.
Sipas përfaqësuesit të organizatës “Drejtësi Sociale”, Genti Seriani, banorët u nxorën me forcë nga banesat e tyre dhe u lanë pa strehë, në kundërshtim me ligjin për strehimin social.
“Përgatitet padia e parë kundër IMT-së dhe Bashkisë Durrës për shembjet e paligjshme në zonën e Urës së Dajlanit.
Më datë 26 të muajit të kaluar, në zonën e Urës së Dajlanit janë shembur në mënyrë të paligjshme disa banesa, ndonëse prej vitesh ndodheshin në proces legalizimi.
Banorët janë nxjerrë me forcë dhe janë lënë në mes të katër rrugëve nga Bashkia Durrës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin për strehimin social.
Përveç ndërhyrjes që bëmë atë ditë, ndërhyrje e cila bëri të mundur strehimin e përkohshëm të banorëve.
Sot kemi përgatitur një padi kundër Bashkisë Durrës, IMT-së për konstatimin e veprime të paligjshme si dhe kërkojmë dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jopasuror të shkaktuar nga këto.
Me banorët, deri në vendosjen e drejtësisë!”, shkruan Seriani.





