DURRËS, 14 tetor 2014 –  Një durrsaku amerikan i është kërkuar të paguja fatura fiktive dritash për një periudhë 6-vjeçare, kur ai ndodhej në SHBA dhe dispononte dokumente se kishte ndërprerë kontratën me ish-Elektrikun e Durrësit, kështu forcat ligjzbatuese padisin penalisht drejtuesit aktualë të OSHEE-së.

Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 13 tetor 2014, ora 10.30, ka bërë kallëzim disi të rrallë një person me inicialet S. GJ, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me shtetasi amerikane.

Ky i fundit u ka thënë uniformave blu se në vitin 2006 ka ndërprerë kontratën e furnizimit me energji elektrike nga ish-ndërmarrja elektrike Durrës.

Më 24 shtator 2014, është kthyer nga Bota e Re në Durrës, ku ka bërë pagesën e shumës prej 8 272.40 lekëve për të rilidhur rrymën elektrike në banesë.

Meqenëse do të shkojë te familja në Amerikë, S. Gj.-ja i është drejtuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish-ÇEZ Shpërndarje) të mbyllte kontratën, për të mos pasur kështu detyrime.

Por durrsako-amerikanit iu kërkua të likuidonte fatura për periudhën 2006-2012, kohë kur ishte në SHBA, me kontratë elektrike të mbyllur!

Materialet hetimore i kaluan prokurorisë Durrës për veprën penale shpërdorim detyre ndaj drejtuesve të drejtorisë rajonale të Durrësit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (policia e shtetit në qarkun e Durrësit nuk e di ende se nuk ka më ÇEZ Shpërndarje).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/