BBC po kërkon që një padi prej 10 miliardë dollarësh e ngritur kundër saj nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të rrëzohet në një gjykatë federale në Florida, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura së fundmi.
Padia u ngrit nga Trump në fund të vitit 2025 dhe ka të bëjë me një dokumentar të BBC-së që redaktoi fragmente nga një fjalim që ai mbajti në janar 2021, pak para se të sulmonte Kapitolin e SHBA-së, ndërsa Kongresi po konfirmonte fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Trump pretendon se programi lidhi dy pjesë të ndryshme të fjalimit të tij më 6 janar 2021, duke krijuar përshtypjen se ai u kishte bërë thirrje drejtpërdrejt mbështetësve të tij të sulmonin Kapitolin.
Presidenti amerikan po kërkon dëmshpërblim prej “jo më pak se 5 miliardë dollarësh” për secilën nga dy akuzat kundër transmetuesit publik britanik, të cilat përfshijnë shpifje dhe shkelje të Aktit të Praktikave Tregtare Mashtruese dhe të Padrejta të Floridës.
Megjithatë, sipas dokumenteve të paraqitura dje në një gjykatë federale në Miami dhe të cituara nga AFP, avokatët e BBC-së thonë se do të kërkojnë “rrëzimin e padisë “, duke argumentuar se gjykatës i mungon “juridiksion personal” mbi çështjen.
Në të njëjtat dokumente, ekipi ligjor i BBC-së thekson se Donald Trump “nuk do të jetë në gjendje të provojë” se dokumentari kontrovers – i cili u transmetua para zgjedhjeve të vitit 2024, por jo në Shtetet e Bashkuara – i shkaktoi atij ndonjë “dëm të demonstrueshëm”.





