Patronazhistët kanë qenë një nga lajmet më të komentuara ditët e fundit, në mediat e shkruara, ato vizive dhe portale. Por ndërsa për Tiranën database “rrodhi” online dhe kushdo mund të gjejë patronazhistin e tij, qytetarët e Durrësit deri më tani nuk kanë mundur të njihen me patronazhistët e tyre.

“DurrësLajm” intervistoi kryesuesen e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës Milva Ekonomi për këtë çështje. Ministrja e Bujqësisë e pranon faktin se edhe në qytetin bregdetar ka të tillë, pasi është skema e funksionimit të PS-së përmes organizatave socialiste. Sipas saj, organizatat kanë një kryetar burrë dhe një kryetar grua, pasi fuqizimi i grave ka qenë një nga sfidat kryesore që PS i vuri vetes dhe në të njëjtën kohë e vuri në praktikë.

“Ne punojmë në mënyrë kapilare në çdo cep të territorit, ku ne kemi organizatat tona socialiste, të cilat pa dyshim punojnë me një database. Sot ke aq shumë mjete të informatikës dhe digjitalizimit sa çdo gjë është bërë në informatikë. Unë nuk e di i kujt ishte ai database, as më intereson fare, por duhet ta dini që patronazhimi është një sistem pune i organizatave politike pavarësisht nga ngjyrat që përdoret”,- tha Ekonomi.

Por sa patronazhistë kanë në qarkun Durrës?

“Ju duhet të shikoni numrin e organizatave socialiste dhe qendrave të votimit. Pak a shumë çdo organizatë socialiste ka një kryetar, i cili ndjek sesi zhvillohet jeta e asaj organizate në territor”,– tha Ekonomi.

Një ditë më parë, drejtuesi politik i PD për qarkun Durrës, Edi Paloka njoftoi për dy padi të dorëzuara në SPAK, një për deputetin Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe një tjetër për një listë të gjatë të disa prej emrave më të njohur të drejtuesve dhe funksionarëve të PS-së në Durrës, të akuzuara për disa vepra penale që lidhen me Kodin Zgjedhor.

E pyetur për reagimin e PS-së, lidhur me këto dy padi, Ekonomi u përgjigj:

“Partia Demokratike mendon se është duke bërë detyrën e vet dhe do të vazhdojë ta bëjë. Duke qenë në një organizatë të tillë siç është SPAK, do t’i takojë atyre që të japin opinionin për këtë gjë. Kështu që unë besoj se çdo reagim për këtë rast i bën keq, kuptimit për rastin. Le të lëme organet drejtuese, meqë ata kanë menduar të veprojnë kështu, që të japin opinionin e vet”.     

M.B.