TIRANE, 13 qershor 2013 – Padi penale ndaj vendorëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të depozitojë në prokurori kallëzimin penal ndaj Bajram Himallarit, kryetari i komunës së Kalasë së Dodës në Dibër.
Ai akuzohet për shkelje të Kodit Elektoral me caktimin e qendrës së votimit, aty ku zgjedhësit e kanë të vështirë të shkojnë.
"Jemi në pamundësi të rregullimit të një vendimi të paligjshëm të kryetarit të komunës, por kjo nuk na pengon për të bërë kallëzim penal ndaj këtij kryetari komune i cili ka sjellë në vështirësi të gjithë zonën në lidhje me ndryshimin e qendrave të votimit duke i vendosur jashtë kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor"- tha kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi.
"E drejta e qytetarëve ku shkon? Kush do e zgjidhë këtë, prokuroria apo KQZ?"- tha përfaësuesi i PD, Njazi Kosovrasti.
Një gjë e tillë konsiderohet si veprim i qëllimshëm i tij, nisur nga fakti se ky është rast i përsëritur nga Himallari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se do të penalizojë të gjithë kryetarët e komunave që tentojnë të shkelin kodin elektoral.
Po sot KQZ do të vendosë edhe për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet.





