Tiranë, 30 korrik 2014 – Paditet në Prokurori nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Cefa, pasi dyshohet se në kohën kur ka drejtuar Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) ka qenë në dijeni të abuzimeve që janë kryer në këtë institucion me pronën shtetërore në favor të të afërmve të tij, dhe nuk ka reaguar! Bëhet fjalë për 2 mijë hektarë tokë nga prona e shtetit me një vlerë prej 100 milionë euro.
Kallëzimi penal ndaj Cefës është bërë nga vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me dijeninë që ka pasur ish-drejtori Cefa, për shumëfishimin e sipërfaqeve të njohura në favor të familjes Preza, me të cilën pas verifikimeve ka rezultuar se kishte afërsi familjare. Konkretisht. sipas AKKP-së trashëgimtari ligjor i familjes Preza, Asim Haxhiallushi, rezulton i afërm i familjes së ish-Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, Elvis Çefa.
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat AKKP, thotë se sipërfaqja e pronës shtetërore me të cilën është abuzuar përmes dokumenteve të falsifikuara dyshohet të jetë 2000 ha dhe përllogaritet me një vlerë të përafërt 100 milionë euro.
Ky dëm në pasuritë shtetërore është realizuar përmes falsifikimit dhe mashtrimit në dëm të pasurive shtetërore, duke shumëfishuar sipërfaqet e njohura për familjen Preza, veprime për të cilat, sipas AKKP-së, Cefa ka pasur dijeni.
Po ashtu AKKP ka kallëzuar penalisht edhe Shefqet Prezën, përfaqësues i trashëgimtarëve të familjes Preza, për falsifikim dokumentesh. Në bazë të njoftimit në fjalë mësohet se ish-drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, Elvis Çefa, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tij ka shkelur ligjin në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke sjellë pasoja negative për shtetin dhe duke i hapur rrugë abuzimit me pronën shtetërore.
Nga verifikimet e bëra nga AKKP bëhet e ditur se është bërë zmadhimi i sipërfaqes së njohur në zonën e Ishmit, në Pyllin e Manzës, me 330 ha, në favor të familjes Preza.
Gjithashtu AKKP ka konstatuar zmadhim të sipërfaqes së njohur në pyllin e Muzhlit dhe në pyllin e Bizës, në zonën e Ishmit Durrës, ku përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar 1220 ha, nga 220 ha të vërtetuara me dokument origjinë prone.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





