11 mars 2015 – Kryetari i bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka dhe drejtoresha e Urbanistikes Aida Shllaku, janë paditur nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Të dy zyrtaret akuzohen për shpërdorim detyre, duke miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi. 

IKMT-ja ka kallëzuar penalisht për të njëjtën akuzë edhe Sezai Krajën me detyrë Kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të kësaj bashkie, si dhe shtetasit Isa Gjongecaj dhe Arben Llalloçi që kanë ushtruar po këtë detyrë në periudha të ndryshme kohore.

Për këtë arsye, IKMT-ja ka kërkuar marrjen e masave dhe pezullimit nga detyra për shtetasit që ushtrojnë aktualisht funksione publike. Nga ana tjetër, burime nga bashkia e Shkodrës, bëjnë me dije se pranë këtij institucioni, nuk ka pasur akoma ndonjë shkresë zyrtare lidhur me këto akuza, për të cilat janë vënë në dijeni vetëm përmes mediave mesditën e së mërkurës.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/