Problemet me pagën e luftës në fasoneritë e Durrësit janë të shumta. Nga dita në ditë, punonjëse të firmave të ndryshme protestojnë pasi nuk e kanë marrë pagën e luftës të premtuar nga qeveria, megjithëse siç thonë ato janë përfituese.
Edhe këtë të hënë, një grup punonjësesh të një firme konfeksionesh me seli në Fllakë, janë mbledhur përpara hyrjes së Drejtorisë së Tatimeve në Durrës për të marrë një përgjigje zyrtare nga ana e drejtoreshës.
Ato shpjegojnë përpara kamerave se në aplikimin e parë kanë dalë përfituese, ndërsa në një riaplikim tjetër, janë refuzuar.
“Më 30 maj administratorja e firmës ka bërë aplikimin pas 4 herë tentativash. Miratohet paga e luftës dhe vjen lista e 132 punëtorëve të miratuar, gjithçka e kemi të printuar. Teksa prisnim të na vinte paga, pas një riaplikimi pas 4 ditësh na vjen një listë tjetër ku ishim refuzuar”, tregon një nga punonjëset.
Për t’u sqaruar mbi rastin e tyre, një grup nga këto gra kanë zhvilluar një takim me drejtoreshën e degës së tatimeve të Durrësit, Dalina Bucaj, por kanë mbetur të pakënaqura me përgjigjen që kanë marrë prej saj.
Sipas tyre, nga biseda e zhvilluar me drejtoreshën, ato nuk janë përfituese dhe lista e parë ku i kanë dalë emrat si përfituese, ka qenë në mënyrë automatike, por pas një rivlerësimi është bërë lista e dytë ku janë refuzuar.
“132 veta dalim përfitues dhe pastaj 132 veta të refuzuar?! Ne kërkojmë vetëm të drejtën tonë të barabartë, ose të paguhemi të gjithë, ose të mos paguhet asnjë. Nuk vetëm këtë kërkojmë, nuk kemi ardhur këtu as në mënyrë të dhunshme, as të pengojmë zhvillimin e punës së Tatimeve, kërkojmë vetëm përgjigje për të drejtën tonë”, kërkojnë ato njëzëri.
Kujtojmë që ditën e premte dy grupe të ndryshme nga dy fasoneri të Durrësit u mblodhën te hyrja e Tatimeve pasi edhe ato kërkonin pagën e luftës.
S.L.





