Vendimi i qeverisë shqiptare për vendosjen e pagave referencë për profesionet e lira për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore ka shqetësuar jo pak këto grup profesionesh. Vendimi përcakton se pagat referencë do të variojnë nga 41.250 lekë në 73.800 lekë, në varësi të vendndodhjes së biznesit, madhësisë së aktivitetit por edhe vjetërsisë së tij. Përpara këtij ndryshimi, për të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarve, paga për efekt të llogaritjes së kontributeve ishte: për kontributet shoqërore – sa paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve; për kontributet shëndetësore – sa dyfishi i pagës minimale për efekt llogaritje kontributesh.
Eftali Qerimi, eksperte kontabël tregon për “Monitor” se një vendim i tillë, shënon fundin e intelektualizmit dhe të vetë profesionistit. Sipas saj, deri më tani ka paguar rreth 6500 lekë në muaj, ndërsa me vendimin e ri, bazuar në profesionin e saj, do të paguajë rreth 21000 lekë në muaj kontribute shoqërore dhe shëndetësore, apo 3.2 herë më shumë. Znj. Qirjaqi tregon se kjo rritje prej 323% nuk është normale, ashtu sikundër sipas saj qeveria nuk po merr parasysh kostot e mbajtjes së biznesit. “Në cilin vend të botës ka një rritje të tillë taksash”.

Edhe dentistët profesionistë nuk janë dakord më këtë rritje kontributesh. Znj. Entela Hoxha e cila kryen aktivitetin e saj në qytetin e Durrësit për rreth 10 vite, tregon nga eksperienca se puna e tyre është kryesisht sezonale dhe se rritja e kontributeve po vjen në një moment jo të duhur, kur xhiroja ka rënë dhe kur kostoja e mjeteve të punës është rritur. Znj. Hoxha parashikon se do të rriten çmimet e shërbimeve për konsumatorët.

Ndërsa edhe avokatët e pyetur nga “Monitor” kanë pohuar se është një VKM e pastudiuar siç duhet. Denisa Daka tregon se rritja e kontributeve prek interesat e çdo avokati dhe kjo reflektohet si një barrë më tepër për këtë grup profesionistësh. “ Ky vendim do të nxjerrë nga tregu shumë avokatë, si dhe do të rëndojë pjesën tjetër”, pohon znj. Daka.

Tanimë kontributet për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, që kjo kategori individësh paguajnë në shtet, do të rritet nga rreth 6 mijë lekë në muaj që janë aktualisht, deri në 20 mijë lekë në muaj me hyrjen në fuqi të vendimit.
Në profesionet e lira përfshihen avokatët, noterët, mjekët, kontabilistët, stomatologët, arkitektët, farmacistët dhe disa kategori të tjerash profesionistësh të vetëpunësuar. Deri më sot këta profesionistë të lirë kanë paguar kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë. Ndërsa për kontributet e sigurimeve shoqërore pagesa ka qenë sa 23 për qind e pagës minimale në shkallë vendi prej 22 mijë lekësh.
Por, kontributet nuk do të llogariten më sipas kësaj skeme, por do të mbahen të unifikuara mbi pagat referencë të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, të cilat janë si më poshtë:

/Monitor.al