30 dhjetor 2013- Prej katër muajsh, 1800 mësues janë ankuar pasi janë me rroga të përgjysmuara. Në këtë prag të ndërrimit të viteve, mijëra mësues në rang kombëtar kanë denoncuar pranë Federatës së Sindikatave të Pavarura të Arsimit, Edukimit dhe Shkencës së Shqipërisë, cënimin e një prej të drejtave themelore të tyre, siç është e drejta e pagës. Duke renditur një sërë pikash bazike, raportohet se mësuesit në pothuaj të gjitha rrethet e vendit, ankohen për mungesë totale transparence në llogaritjen e pagës së tyre mujore.

1-650 mësues të sistemit parauniversitar, të cilët kanë qendrën e tyre të punës larg asaj të banimit, kanë  paraqitur ankesat e tyre në lidhje me mungesën e rimbursimit të kuotës së shpenzimeve të transportit, që nga shtatori i këtij viti. Kuota mujore e shpenzimeve të transportit  arrin deri në 8000 lek të reja në muaj,  ose  më shumë se 1/5 e pagës neto mujore mesatare, ç'ka do të thotë që këta mësues paguhen me 1/5 e rrogës më pak në muaj.

2-Janë rreth 1200 të tjerë të cilëve i mbahet në mënyrë fare të hapur paga deri në ¼ e saj, për shkak se norma javore e tyre e mësimdhënies vazhdon të jetë e reduktuar për ti plotësuar orët e punës dhjetëra mësuesve mbi organikë që kanë penetruar në sistem, si produkt i lidhjeve politike, klienteliste apo nepotike. Zonat urbane janë zonat që  vijojnë të mbeten të mbipopulluara me mësues,  mbi nevojën e tyre. Numri i orëve javore të shkurtuara për mësuesit e organikës shkon nga 1 – 5 orë në jave, ose e përkthyer deri në ¼ e rrogës së tyre mujore. Ndërkohë në zonat rurale edhe për shkollat  me mbi 35 nxënës të klasave të ndryshme, ngarkesa mësimore përballohet nga vetëm një mësues për të gjitha klasat dhe lëndët, duke e bërë analfabetizmin një kërcënim real të nxënëseve të këtyre shkollave. Paralelisht me këtë situatë në zonat rurale ka mësues me ngarkesë mësimore 30 orë në javë, të cilëve nuk iu paguhen aspak orët shtesë, pa përmenduar këtu nivelin e pagesës së këtyre orëve, që sipas përcaktimeve të Kodit të Punës, duhet të paguhen  me një shtesë page jo më të vogël se 25% .

3-Mësuesit në pothuajse të gjitha rrethet e vendit, ankohen për mungesë totale transparence në llogaritjen e pagës së tyre mujore.

4-Në shumë zona të ftohta të vendit, mësimdhënia zhvillohet në kushtet e mungesës minimale të ngrohjes, duke riskuar jo vetëm cilësinë e mësimdhënies por edhe shëndetin e nxënësve. I kërkojmë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të ngrejë urat e bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe aktorë të tjerë potencialë të zbutjes së këtij problemi, në kushtet e mungesës së mjeteve të mjaftueshme financiare.

5-FSPAESH i bën thirrje MAS të paguajë kuotën e shpërblimit të fundvitit për punonjësit e sistemit arsimor. Bazuar në Kodin e Punës dhe në praktikat e pagesave të viteve të mëparshme, tashmë ky shpërblim është shndrruar në një detyrim ligjor.

6-Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme është thirrja që FSPAESH i bën MAS, për të qënë bashkëpunuese dhe e hapur me faktorët sociale siç janë sindikatat, sidomos në çështje kapitale si hartimi i projektbuxhetit. FSPAESH konstaton që projektbuxheti i MAS u hartua në një cikël të mbyllur, pa marrë në konsideratë mendimin e aktorëve të interesat dhe kësisoj le pa mbuluar një pjesë të mirë të nevojave jetike të sistemit arsimor, siç është mbulimi financiar i zgjidhjes së problemeve të mësipërme, çka do të sillte zvogëlimin e shkallës së  lartë të pabarazisë midis shkollave që planifikohen të pajisen me tabletë kompjuterikë dhe atyre që për shkak të kushteve tejet të vështira të ndërtesës, infrastrukturës apo sistemit të ngrohjes, nuk kanë mundësi të zhvillojnë mësimin, apo më keq, akoma rrezikojnë shëndetin e nxënësve.