Për herë të parë, në tremujorin e fundit të vitit 2025, numri i punonjësve me paga mbi 120 mijë lekë ka tejkaluar ata që paguhen me pagë minimale. Punonjësit me paga të larta përbëjnë 16% të totalit, ndërsa ata me pagë minimale 13%.
Fasha më e madhe e të punësuarve mbetet ajo me paga nga 60 mijë deri në 95 mijë lekë, që zë rreth 25% të totalit.
Rritja e punonjësve në kategoritë e pagave të larta lidhet edhe me formalizimin e ekonomisë, pasi bizneset po deklarojnë më shumë pagat reale, duke shmangur pagesat informale.
Ky zhvillim është nxitur edhe nga kontrollet e shtuara tatimore në sektorë si ndërtimi dhe hoteleria, si dhe nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë pritet të ndikojë në rritjen e mëtejshme të pagave.
Ekspertët paralajmërojnë se bizneset që mbështeten te paga minimale do të përballen me vështirësi, duke u detyruar të automatizojnë proceset ose të dalin nga tregu.





