Skuadra kryeqytetase greke, Panathinaikos nuk do të mund të marrë pjesë në kompeticionet europiane në 3 sezonet e ardhshme. UEFA e ka përjashtuar klubin grek për shkak të detyrimeve financiare të pashlyera, lajm që u publikua nga rrjeti britanik BBC. UEFA i kishte vendosur Panathinaikosit 1 marsin, si afat të fundit për të shlyer këto detyrime, gjë që nuk ndodhi.

Futbollistët e skuadrës greke hynë në grevë në fillim të këtij muaji, pasi nuk kanë marrë pagat e tyre që nga viti i kaluar, gjë që nuk përmbush vendimin e dhënë nga UEFA në muajin dhjetor, duke bërë që ky institucion t’i vendosë edhe një gjobë prej 100 mijë eurosh Panathinaikosit.

Por, telashet për Panathinaikosin për këtë sezon nuk mbyllen këtu. Përpara këtij penalizimi, klubi grek kishte marrë edhe një ndëshkim tjetër. Përpara disa muajsh, skuadrës greke iu hoqën 3 pikë nga klasifikimi, pasi nuk i kishte dhënë pagën ish-futbollistit të saj, Jens Wemmer.Panathinaikos është skuadra greke më e suksesshme në kompeticionet europiane. Ai ka qenë finalist i Kupës së Kampioneve në vitin 1971 dhe ka mundur që të kualifikohet në gjysmëfinalet e këtij aktiviteti në vitet 1985 dhe 1996, ku u mposht nga Liverpooli dhe Ajaksi.

Kujtojmë që me klubin kryeqytetas grek aktivizohet edhe mesfushori korçar i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe. Ky i fundit është në pronësi të skuadrës së PAOK-ut të Selanikut, por u huazua në muajin janar te Panathinaikos.