Ministria e Brendshme dhe Kompania Shtetërore IdentiTek ShA e prodhimit të dokumenteve biometrike kanë publikuar disa ndryshime të rëndësishme për qytetarët, që synojnë modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve.

Me anë të këtij ndryshimi bëhet e ditur se qytetarët nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë për të blerë kuponë në Postë për pasaportë, apo letërnjoftime elektronike.

Të gjitha pagesat mund të kryhen online, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë.

Një tjetër risi, është se IdentiTek ofron mundësinë e prodhimit të ID kartave apo Letërnjoftimeve Elektronike në një kohë shumë më të shpejtë, përmes një pagese shtesë.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i cili pa nga afër procesin në një zyrë aplikimi, dha detaje rreth tij:

“Ministria e Brendshme dhe IdentiTek sot lançon dy procese shumë të rëndësishme, të cilët do t’i vijnë në ndihmë qytetarëve për lehtësimin e të gjitha procedurave përsa i përket aplikimit online për marrjen e një kuponi dhe vazhdimin e procedurave për prodhimin e kartave të identitetit (ID).

Së pari, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që nëpërmjet platformës në identiTek të aplikojnë për kuponin elektronik  dhe më pas të vijojnë me prodhimin e kartave të identitetit. Së dyti, ky është një proces, që i cili vjen në ndihmë të gjithëve qytetarëve duke lehtësuar edhe një herë veprimet e tyre për marrjen e kartës.

Sot, ne mund të prodhojmë kartat e Identitetit nëpërmjet një afati kohor nga një deri në tri ditë. Kjo do të bëjë edhe një herë shkurtimin maksimal të të gjitha afateve të pritjes për prodhimin e kartës së identitetit. Ne kemi edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm, sa i përket rritjes së sigurisë së elementëve të pasaportës.”