Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës Ferdinand Xhaferraj, ka denoncuar përfshirjen e taksave për qytetarët në zonën e ish-Kënetës. Xhaferraj është shprehur pas një takimi me këta banorë, se po detyrohen të paguajnë taksa për shërbime që nuk iu janë ofruar asnjëherë. Ai ka shtuar se banorët e pranojnë se taksat duhen paguar dhe nuk janë kundër, por kur nuk kanë ndriçim, gjelbërim dhe pastrim, kjo është një vjedhje për ta.
“Jemi në zonën e ish-Kënetës, zonë të cilën e kam vizituar edhe gjatë përmbytjeve dhe njëlloj si zona e Spitallës, Porto Romanos dhe Shkozetit, edhe kjo është harruar për 7 vite me radhë nga qeverisja lokale dhe qendrore. Në 7 vjet pushtetin në nivel qendror dhe lokal e ka e njëjta parti dhe asgjë nuk ka bërë për këtë zonë dhe banorët e saj. Banorët më janë shprehur se janë dakord t’i paguajnë taskat se shteti me to mbahet, por kur nuk marrin asnjë shërbim për taksën e ndriçimit, asnjë për gjelbërimin dhe as për pastrimin, kjo quhet vjedhje. Shtetit i ka interesuar që në këto 7 vite të lidhë vetëm aktmarrveshje me banorët që kanë detyrime nga 3-4 milionë lekë për dritat duke i shtrënguar vetëm për të paguar. Prandaj më 25 prill ne nuk kemi thjesht zgjedhje, por kemi referendum për largimin e kësaj klase politike të zhytur në korrupsion”.
“Më kanë ardhur 5 taksa nga bashkia, por nuk më ofrohet asnjë shërbim për to. Hajdeni ju si gazetarë dhe shikoni nëse kemi pastrim e gjelbërim, apo ndriçim këtu në Kënetë dhe ta shohim se kush ka të drejtë. Na kanë ardhur faturat nga 60-70 mijë lekë, kur më parë maksimumi vinin 30 mijë, jo më shumë”, ankohet njëri prej banorëve.





