Itali, 28 maj 2014 – Silvestër Cërriku, 31 vjeç, në 2 shtator 2011, u gjet gjysëm i vdekur buzë rrugës në provincën e Torinos. Ai kishte rënë pre e një hakmarrje tipike shqiptare e familjarëve të ish gruas së vet.
Cërriku është anëtar i komunitetit rom, i lindur në periferi të qytetit të Elbasanit. Gruaja e tij, dy vjet para tentativës së vrasjes së Cërrikut kishte vrarë veten.
Leonard Pici dhe Liliana Pici, xhaxhai dhe bashkëshortja e xhaxhait të nuses së Cërrikut, e akuzonin këtë të fundit si fajtor për vetvrasjen e nuses. Për t’u hakmarrë ata paguan një “komando” të përbërë nga 5 italianë dhe të komanduar nga Ervin Xhakosi, edhe ky pjesëtar i komunitetit rom në Shqipëri.
“Komandoja” e shtypi me makinë dhe e goditi me dy plumba pistolete në kokë Cërrikun, që gjithsesi me shumë vështirësi arriti të mbijetojë.
Këtë të mërkurë, Gjykata e Apelit e Torinos dënoi me 9 vjet burg Ervin Xhakosin ndërsa me nga 5 vjet burg çiftin e romëve, që ishin porositësit e tentativës së vrasjes.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





