Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë të lirë nënkomisarin Gjergji Azisllari, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës.

Azisllari u arrestua rreth dy javë më parë, më 17 tetor, nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, pasi kishte përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale Genti Nderjaku, i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë.

Azisllari do të hetohet në gjendje të lirë, ndërkohë që Gjykata ka vendosur masën detyrim paraqitjeje për të.

Nderjaku u arrestua së bashku me mikun e tij Marjel Fierza në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017”.

“Punonjësi i Policisë Azisllari nuk ka kryer verifikimin në sistem sipas procedurave standarde të punës. Gjatë hetimit ka rezultuar se po ky punonjës policie kishte përpiluar të njëjtin lloj vërtetimi edhe për shtetasin A.M., i cili gjithashtu rezulton me rekorde kriminale në të dhënat e Policisë së Shtetit”, njoftoi SHÇBA për arrestimin e nënkomisarit.