Me anë të një deklarate për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo është shprehur se kryeministri Edi Rama 4 vite më parë e paraqiste si sukses blerjen e aparaturës së kobaltit në spitalin e Onkologjisë.
Garo shton se kjo pajisje nuk u vendos kurrë në punë për t’i ardhur në ndihmë pacientëve, por madje helmoi këto të fundit dhe punonjësit e spitalit.
Deklarata e zëdhënëses së PD:
Edi Rama, në një status në Facebook në vitin 2012, kur premtonte shëndetësi falas, denonconte një pajisje, sipas tij të vjetruar të rrezatimit antitumoral në Spitalin Onkologjik.
Thuajse 10 vjet më vonë, në 2020, ministria e tij ‘e rilindur’ e Shëndetësisë bleu një aparat kobalti të cilin shëndetësia botërore e kishte nxjerrë nga përdorimi për arsye të rrezatimit të dëmshëm.
Edhe pse u ble, pajisja nuk u vu në punë, por u la në korridoret e spitalit, jo vetëm duke hedhur në kosh paratë e investuara në të, por duke rrezikuar jetën e stafit mjekësor dhe të pacientëve.
Në mënyrë që të përdoret, kobalto-terapia duhet të futet në një bunker anti-radioaktiv në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IEAHEA.
Në mungesë të këtij certifikimi dhe sidomos të humanizmit, aparati mbeti korridoreve, ashtu si shumica e pacientëve shqiptarë në spitalet e ‘rilindura’.
Edi Rama, me siguri e ka harruar statusin e vitit 2012, por jo sloganin ‘fajin e ka Saliu’ poshtë të cilit mundohet të fshehë pa-aftësinë dhe pa-përgjegjshmërinë prej 2 dekadash që ai qëndron në pushtet.
Ky slogan i rrejshëm dhe patologjik, nuk i fsheh dot ama metastazat e së keqes që qeveria e tij ka përhapur në të gjithë Shqipërinë.
Skandali i Onkologjikut është dëshmi e kësaj ‘burse të vdekjes’, ku fitimet kanë rëndësi, pasurimi i ministrave, drejtorëve dhe patronazhistëve ka rëndësi, e aspak shëndeti dhe e ardhmja e shqiptarëve.
Edi Rama, megjithatë, nuk ndalet në propagandimin e së keqes. Ishte vetë kryeministri që, në vitin 2020 e paraqiste si sukses blerjen e aparaturës së kobaltit, që nuk u vu në punë kurrë.
Jo vetëm kaq, por që helmoi me rreze radioaktive kush e di sa pacientë dhe punonjës spitalorë.
Ky është Edi Rama i vërtetë.
Ai erdhi me premtimin e shëndetësisë falas dhe i shndërroi spitalet e Shqipërisë në ‘treg të zi të vdekjes’ ku jeta e shqiptarit trajtohet si rezultat në skedinat e futbollit.
Kundër kësaj mynxyre që quhet Rilindje, me në krye Edi Ramën, le të bashkohemi në betejë kundër këtij sistemi të kalbur që ka kapluar vendin tonë, në protestën kombëtare, më 11 korrik në orën 20.00.