Një hap para për mjekësinë. Shkencëtarët kanë krijuar një pajisje që mund të identifikojë sëmundjen e kancerit në fazë fillestare. Nëpërmjet saj, pas kryerjes së analizave të gjakut, mund të identifikohen 8 lloje tumoresh, shumë kohë para se të shfaqen simptomat e tyre.
Ky zbulim do të ndihmojë pacientët të kurohen që në fazat e para.
Pajisja e quajtur “cancer seek” është krijuar nga shkencëtarët e Universitetit Johns Hopkins. Ata testuan rreth 1 mijë pacientë, nga ku në 70 përqind të rasteve, u identifikuan sëmundjet e rënda që në fazë të hershme.
Sipas shkencëtarëve, kanceri në mitër ishte më i lehti për t’u zbuluar, i ndjekur nga kanceri i mëlçisë, stomakut, pankreasit, ezofagut, i mushkërive dhe i gjirit.
Testimi nëpërmjët “cancer seek” kërkon për 16 mutacione gjenetike dhe 8 lloje proteinash, të cilat shfaqen në momentin që një person ka kancer.
Çmimi për kryerjen e një testi për pacient mendohet të jetë rreth 500 dollarë. /klanplus