Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim zyrtar me drejtorin e ri Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu.

Takimi i zhvilluar në ambientet e bashkisë është i pari për drejtorin Aliu, i cili u emërua në këtë post vetëm pak ditë më parë nga zv/kryeministrja Belinda Balluku.

“Prita në një takim Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu.

Në këtë takim diskutuam për marrëdhënien e ngushtë institucionale mes Bashkisë dhe Autoritetit Portual, si dhe për rolin thelbësor që ka porti në jetën e qytetit.

Po kështu theksuam rëndësinë e projekteve transformuese si Marina dhe Porti i ri në Porto Romano, të cilat pritet të sjellin një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit”,– shkruan Sako në një postim në rrjete sociale.