DURRES, 04 mars 2013 – Njohja me draftin e “Paketës së drejtësisë kriminale” mblodhi në një takim sot në Durrës përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, policisë, prokurorisë, njësive vendore si dhe shoqatave për mbrojtjen e grave të dhunuara. Më datë 1 mars, ministri i drejtësisë, Eduard Halimi, njoftoi përfundimin e paketës të cilën ai e quajti më të ashprën e këtyre 20 viteve të fundit.
Për t’i njohur të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore me ndryshimet e reja që do të pësojnë dënime të caktuara për vepra penale që lidhen me dhunën në familje, ishte në Durrës zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi.
Zv/ministrja Kasmi theksoi gjatë fjalës së saj se fenomeni i dhunës në familje ka njohur një përshkallëzimi të madh gjatë viteve të fundit dhe në pjesën dërrmuese të rasteve viktima apo të lënduara mbeten femrat. Sipas Kasmit paketa ligjore synon reduktimin e dhunës në familje, nëpërmjet forcimit të mekanizmave ligjore për dënimin e këtyre rasteve.
Kasmi prezantoi para të pranishmëve disa nga ndryshimet që do të pësojnë dënimet për autorët e krimeve në familje. Për herë të parë në legjislacionin penal shqiptar, autori i krimit në familje do të dënohet nga 28 vjet burg deri në burgim të përjetshëm dhe nëse krimi është i përsëritur, dënimi shkon nga 38 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Teksa ka radhitur ndryshimet në nenin 131 të Kodit Penal, Kasmi tha se forcimi i masës goditëse të ligjit pritet të reduktojë ndjeshëm rastet e dhunës në familje.
Në paketën ligjore janë parashikuar gjithashtu dhe dënimet plotësuese. Për herë të parë do të shtohet dënimi që ka të bëjë me heqjen e së drejtës për profesione të caktuara, siç janë personat që përfaqësojnë shtetin. Këta të fundit, veç dënimit kryesor që do të marrin për veprën penale që kanë kryer, do t’u hiqet edhe e drejta e ushtrimit të profesionit nga 15 deri në 20 vjet.
Ndërkohë, përfaqësuese të shoqatave jo qeveritare që u ofrojnë asistencë ligjore dhe mbrojtje grave të dhunuara parashtruan para zv/ministres Kasmi numrin e rasteve të dhunës në familje përgjatë një viti në Durrës dhe theksuan se kohët e fundit po vihet re një ndërgjegjësim gjithnjë e më i madh i femrave të dhunuara të denoncojnë dhunuesit e tyre qofshin këta baballarë, vëllezër, bashkëshortë apo partnerë. Sipas shoqatave që merren me mbrojtjen e grave të dhunuara, 98 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femra. Vetëm në vitin 2011, sipas të dhënave të Policisë së Durrësit janë paraqitur 1055 raste të dhunës në familje, ndërsa në 4 muajit e fundit jane regjistruar 50 raste.
Në datë 1 mars, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi njoftoi përfundimin e draftit të paketës së drejtësisë kriminale, i cili mund të shqyrtohet nga të gjithë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë www.justice.gov.al. Ajo do t’i nënshtrohet diskutimit publik midis aktorëve të sistemit të drejtësisë më 11 mars.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





