TIRANE, 01 mars 2013 – Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi njoftoi përfundimin e draftit të paketës së drejtësisë kriminale, i cili mund të shqyrtohet nga të gjithë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë www.justice.gov.al. Ajo do t’i nënshtrohet diskutimit publik midis aktorëve të sistemit të drejtësisë më 11 mars.
Në njoftimin e tij, ministri Halimi thekson se kjo paketë është më e ashpra në 20 vitet e fundit dhe i fton shqiptarët të japin opinionin e tyre. Ministri pati njoftuar disa ditë më parë se po punohej për forcimin e masave ndëshkuese për vepra të ndryshme penale, nxitur kjo edhe nga përshkallëzimi i krimeve, sidomos atyre në familje.
“Sot u bëmë 10.000! Ju falenderoj të gjithëve që jeni këtu për të diskutuar së bashku. Sot ne përfunduam “Paketën e Drejtësisë Kriminale”. Më të ashprën ndaj krimit urban në këto 20 vjet. Mendimet tuaja ishin një inkurajim i madh për ne! Me 11 mars, kjo paketë do t’i nënshtrohet diskutimit publik midis aktorëve të sistemit të drejtësisë. Ju lutem të jepni idetë, sugjerimet, opinionet tuaja mbi të gjithë “Paketën e Drejtësisë Kriminale”. Do i dëgjoj me shumë vëmendje! Ne zbrapsëm krimin e organizuar dhe bandat në këtë vend, tashmë do zbrapsim edhe krimin urban. Ne jemi ndryshimi.. Përpara.”- shkruan ministri Halimi në “Facebook”.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





