Këshilli i Ministrave miratoi këtë të mërkurë shpalljen e disa zonave prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkitë Shijak, Mat dhe Shkodër, në kuadër të ligjit nr. 20/2025, “Për Paketën e Maleve”.
Ky vendim synon të lehtësojë investimet në zonat malore dhe t’u japë mundësi pronarëve të tokave për ndërtimin e agroturizmit, fermave dhe projekteve të tjera zhvillimore.
Nëse toka nuk është në territor të kontestuar, pronari mund të paraqesë projektin pranë ministrisë përkatëse dhe të marrë një kontratë simbolike – një euro.
Zonat prioritare për zhvillim
Bashkia Mat: Përfshihen zona të ndryshme në Selixë dhe Komsi, me sipërfaqe që variojnë nga 1.585.237 m² deri në 2.564.391 m², të destinuara për zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik.
Bashkia Shijak: Përfshihen zona në njësinë administrative Maminas dhe Gjepalaj, duke përfshirë rezervuarët Rubjek, Karrec, Karpen, Metallë dhe Callikë, me sipërfaqe që shkojnë deri në 32.15 ha.
Bashkia Shkodër: Zonat përfshijnë fshatrat Theth, Nderlysaj, Rragam, Sheldi dhe Mazrek – Shpor, me sipërfaqe që shkojnë deri në 2,286.3 ha, të destinuara gjithashtu për aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike.
Zbatimi i vendimit
Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.





