Sipërmarrësja Donika Mici ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me paketën e zgjeruar ekonomike të prezantuar sot nga kryeministri Rama, për mbështetjen e biznesit të vogël, personat e larguar nga puna dhe turizmin e fasonerinë.

Në një lidhje direkte me Eni Vasili tha se paketa e zgjeruar ishte një frymëmarrje e vogël për biznesin por kishte shumë paqartësi.

“Është një frymëmarrje e vogël për biznesin tonë. Por ka shumë gjëra për tu sqaruar dhe për tu parë. Se dimë si do jetë për bizneset që i kanë mbajtur punonjësit në punë edhe kur biznesi ka qenë mbyllur. Ata që i kanë hequr punëtorët do paguhen 40 mijë lekë të reja. Po ata që nuk i kanë hequr punëtorët nga librezat e punës, a do përfitojnë, se biznesi ka qenë mbyllur?”, tha Mici, ndërsa në bisedë u përfshi dhe ministrja e Financave Anila Denaj.

“Në pjesën e personave që do përfitojnë (paketa e zgjeruar) janë dhe 20 mijë punonjës aktualë që janë brenda numrit të bizneseve mbi 14 mln lekë (të reja) por që janë të mbyllur me urdhër. Janë 20 mijë persona brenda numrit 176 mijë persona.

Nëse bizneset janë të mbyllur me urdhër të Ministrisë do të përfitojnë 400 mijë lekë. Bizneset që kanë mbajtur personelin nuk do të përfitojnë drejtpërdrejt, por kanë përfitime nga fondi i garancisë dhe shtyrja e tatimit-fitimit deri vitin tjetër”, tha ministrja Denaj.

Ndërkohë, sipërmarrësja Donika Mici ndërhyri sërish duke u shprehur: “Ju na thatë që mos guxoni të hiqni asnjë person nga puna. Sot jemi në një situatë ku ata që i larguan punonjësit nga puna përfitojnë 400 mijë lekë kurse ne që nuk i hoqëm nga puna nuk përfitojmë.”