TIRANË- Kuvendi miratoi të enjten në mbrëmje, vetëm me votat e maxhorancës, paketën fiskale për vitin 2013, ndërsa hodhi poshtë propozimet e Partisë Socialiste. 

Opozita akuzoi qeverinë se paketa fiskale sjell përkeqësim të situatës së biznesit. Në fillim të seancës deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi se paketa fiskale e qeverisë ka sjellë ndikime negative, duke theksuar shtimin e evazionit fiskal dhe korrupsionit. 

Sipas saj, këto ndryshime ligjore nuk u adresohen dhe nuk mbrojnë bizneset apo qytetarët, si dhe nuk kanë efekt pozitiv në buxhetin e shtetit. 

Gjatë debatit të sotëm në parlament për ndryshimet në 'paketën fiskale 2013', ministri Bode tha se opozita nuk ka kuptuar asgjë nga ato që janë shkruar në ligjin "Për taksat doganore" dhe në ligjin "Për akcizat. Sipas tij, skema e industrisë së kafesë është me përfitime në buxhetin, jo vetëm se do kemi rritje të të ardhurave nga çmimi, por se industria vendoset e gjitha në taksim të njëjtë dhe malli do ndiqet deri te konsumatori në skemë të plotë. 

Paketa fiskale përfshin ndryshime në ligjet respektive, që lidhen me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri, si dhe heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve. 

Partia Socialiste propozoi në Parlament një sërë ndryshimesh në paketën fiskale, të cilat kishin në themel kryesisht sektorin e bujqësisë. Propozimi i parë ishte ai që qeveria të heqë akcizën për naftën që përdoret në bujqësi. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se propozimi i opozitës çon në një skemë të dështuar, të cilën socialistët e provuan njëherë në vitin 2003. 

Veç heqjes së akcizës, deputetët socialistë propozuan edhe disa masa të tjera për të ulur kostot e fermerëve. Maxhoranca nuk pranoi propozimet me argumentin se qeveria ka zgjedhur t'i ndihmojë fermerët jo përmes taksave, por me transferta direkte. 

Opozita kishte hartuar edhe një draft që rikthen taksën progresive, i cili, sipas deputetëve të saj, lehtëson barrën fiskale mbi 95 për qind të të punësuarve në administratë dhe sektorin privat, duke u falur atyre 63 milionë dollarë në vit. Ky propozim qe po diskutohet prej kohesh nuk u pranua nga maxhoranca.

                                                                 Marrë nga Balkanweb