17 dhjetor 2013 – Buxheti i vitit 2014 është ndërtuar mbi bazën e një politike fiskale me mjaft të reja. Paketa fiskale e vitit 2014 pritet të gjenerojë rreth 21.7 miliardë lekë shtesë të ardhura nga tatimet dhe doganat. Në trendin historik të përgatitjes së paketave fiskale, kjo paketë është unike në vetvete dhe më e gjera e më e thella në produktet e nxjerra nga një qeverisje. Hartimi i kësaj pakete është pjesë e parakushtit të marrëveshjes me FMN-në. Bashkarisht me ekspertët e FMN, është konkluduar se në kushtet e vështira në të cilat ndodhen financat e vendit, buxheti i vitit 2014 ka nevojë për një paketë masash që të gjenerojnë në total 1.6% të PPB-së ose 21.7 miliardë lekë. Kjo paketë përbën tashmë një domosdoshmëri për të ulur nivelin e borxhit të lartë publik që ka Shqipëria për vitin 2013. Kështu, në vazhdim të premtimit elektoral të Partisë Socialiste, është hequr dorë nga tatimi i sheshtë ndërsa është realizuar parimi se kush fiton më shumë, paguan më shumë. Paketa e re fiskale dallohet për ndërtimin e saj në funksion të stabilizimit të ekonomisë, duke synuar të gjenerojë rreth 18 miliardë lekë shtesë të ardhura nga Tatimet dhe Doganat. Kjo barrë fiskale shpërndahet midis bizneseve dhe individëve.

Politika fiskale për individët

Paketa e re fiskale parashikon vendosjen e tatimit progresiv mbi pagën në tre fasha. Sipas këtij skenari, norma efektive e tatimit e kalon masën 10% për pagat mbi 130,000 lekë. Kjo do të thotë se pagat nën 130,000 lekë do taksohen më pak se me skemën aktuale dhe ato më të larta se 130,000 lekë, më shumë. Paga prej 130,000 lekë mund të konsiderohet si pika e thyerjes. Efekti i këtij ndryshimi në buxhet është minus 1.5 miliardë lekë. Me këtë skemë përfitojnë 97% e punonjësve të tatueshëm dhe vetëm 3% e tyre paguajnë më shumë. Në të ardhurat tatimore, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rreth 9%. Sipas Ministrisë së Financave, 56% e të punësuarve në Shqipëri i përkasin fashës së parë me 0 % tatim; mbi 40% e të punësuarve i takojnë fashës së dytë, ku norma efektive e taksës ulet nga 10% në kufijtë 2.4% deri në 9.8%; dhe vetëm 3% e të punësuarve i përkasin fashës së tretë, të cilëve u rritet norma efektive e taksës. E thënë ndryshe, nga taksa progresive përfitojnë 338,872 tatimpagues ndërsa paguajnë më shumë 11.213 persona. Nga këta 165,722 persona nuk paguajnë taksa mbi të ardhurat e tyre minimale. Në kuadrin e individëve, është parashikuar që të gjitha kategoritë e shtresave në nevojë të shoqërisë do të marrin subvencion 10% të TVSH së paguar për energjinë, si dhe po aq edhe për produktet bazë të shportës (grurë, miell, bukë, qumësht dhe vezë), në shumën 1.1 miliardë lekë. Po ashtu, barnat dhe shërbimet shëndetësore do të jenë më të lira për pacientin shqiptar. Përjashtimi nga TVSH i barnave dhe shërbimeve shëndetësore që, aktualisht, kanë TVSH 10%, pritet të sjellë një ulje më shumë se 10% të çmimeve të barnave, sepse ky përjashtim do të shoqërohet me gjithë reformën e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për spitalet dhe klinikat shtetërore dhe ato private. Ndërkaq, sipas kësaj pakete, 73 mijë të vetëpunësuar në Shqipëri nga prilli 2014 do të paguajnë më pak kontribute shëndetësore. Ata do të paguajnë kontributet shëndetësore në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, nga 7% e pagës minimale që paguajnë aktualisht, ndërsa për të punësuarit hiqet tavani i llogaritjes së kontributeve shëndetësore me pesëfishin e pagës minimale. Të punësuarit do të paguajnë 1.7 % të pagës nominale. Ndërkohë, qeveria ka parashikuar rritjen dyfish të taksës së ndërtesës që përdoret për qëllime biznesi. Taksa e ndërtesës për shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 barazohet me taksën e ndërtesës për shtëpitë e ndërtuara pas vitit 1993. Efekti nga këto dy masa është 1.1 miliardë lekë të ardhura në buxhet. Ndërsa taksa për shtëpinë jo të parë do të jetë sa dyfishi i taksës së ndërtesës në zonën ku ndodhet. Në këtë paketë fiskale rritet dhe taksa e qarkullimit në 10 lekë/litri për naftën dhe 10 lekë/litri për benzinën.

Paketa fiskale për biznesin

Sipas paketës së re fiskale të qeverisë, rreth 60 mijë biznese të vogla në Shqipëri duke filluar nga 1 janar 2014, nuk do të paguajnë më taksën e biznesit të vogël. Këtu shfuqizohet taksa vendore e biznesit të vogël, aktualisht taksë lokale që paguhet nga subjektet me qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë. Ndërkaq, biznesi i vogël deri në 2 milionë lekë do të paguajë një taksë fikse vjetore prej 25,000 lekë, pavarësisht vendndodhjes. Kurse subjektet e biznesit të vogël (me xhiro vjetore nga 2 në 8 milionë lekë) do të taksohen me 7.5% mbi “fitimin” (mbi të ardhurat e tyre personale) nga 10% aktualisht. Ndërsa tatim fitimi i pjesës tjetër të biznesit rritet nga 10% në 15%. Paketa Fiskale e vitit 2014 heq shumë përjashtime nga tatim-taksa të sektorit të hidrokarbureve (nga TVSH, nga akciza dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale të personelit të huaj). Në paketë janë përfshirë disa ndryshime që prekin taksën e akcizës, për disa lloje mallrash si; cigare, duhan me të dredhur, pije alkoolike, birra, produkti “graso”. Ndryshim i strukturës së taksimit të birrës bëhet në përputhje me kuadrin ligjor evropian ku do të mbahen vetëm dy intervale taksimi: nën 200 mijë dhe mbi 200 mijë HL në vit sasi, si për importin, ashtu edhe për prodhimin vendas. Ndërkohë, sipas paketës së re fiskale, fermeri do të marrë 20% të TVSH që ka paguar për gjithë inputet në bujqësi, në shumën 600 milionë lekë.

http://www.sot.com.al/ekonomia/paketa-e-re-fiskale-mbi-300-mij%C3%AB-shqiptar%C3%AB-p%C3%ABrfitojn%C3%AB-nj%C3%AB-rrog%C3%AB-shtes%C3%AB-n%C3%AB-vit-hiqet-taksa