Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet në Novoselë, në një nga vendet që është prekur më së shumti nga përmbytjet.

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se Kryeministri do të ndërmarrë një paketë që do garantojë dëmshpërblimin për qytetarët e prekur nga përmbytjet.

“Është e rëndësishme të themi që të dyja prefekturat, si e Vlorës, ashtu dhe e Fierit, me qytetarët e bashkive të angazhuara në këto momente, jo vetëm qyteteve të prekura, janë angazhuar për ngritjen e qendrave të akomodimit dhe evakuimit.

Ne kemi parë dhe gjatë periudhës së tërmetit që banorët zakonisht nuk duan të largohen nga pronat e tyre, por jeta është ajo që është e rëndësishme në këto momente. Duhet të jeni në dijeni që Kryeministri është duke dizenjuar në këto momente, së bashku me Ministrinë e Financave, një paketë e cila do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore, ashtu edhe për banesat”, tha Balluku.

Ndër të tjera ajo njoftoi se mëngjesin e së premtes do të mblidhet Komiteti i Emergjencave Ndërkombëtare ku në vëmendje do të jetë përmbytja në vend, duke bërë thirrje se duhen marrë masa përpara se situata të agravojë.