Greqi, 29 prill 2014 – Sekuestrohet një pako bombë, e cila u dërgua në komisariatin e policisë ku u mbajt i dënuari shqiptar Ilia Kareli, në Iteas të Greqisë. Policia greke ka bërë me dije se bëhej fjalë për një mjet shpërthyes, të improvizuar. Në pakon bombë ndodheshin 500 gram dinamit, e cila ishte e lidhur me kabëll. Sipas medieve greke, në pako kishte dhe një libër fetar.
Duket se pakoja, me bombën brenda kishte si destinacion shefin e komisariatit, A.Holeba. Sipas ekspertëve të policisë, mendohet se nëse marrësi do e kishte hapur pakon do kishte humbur jetën, si pasojë e shpërthimit. E gjithë ngjarja, sipas policisë, mendohet të ketë në qendër të saj vdekjen e shqiptarit Ilia Karelit, në burgun grek të Nigrita-s.
Ilia Kareli, u gjet i vdekur brenda në qelinë e tij, në burgun e Nigrita-s të enjten e 27 marsit. Ai u rrah për vdekje nga rojet e burgut që u hakmorën për plagosjen e kolegut të tyre, Jorgos Tsironis.
Pak ditë pas vdekjes së Karelit në burgun grek, shpërthimi i një automjeti në Greqi u mor përsipër nga një grup, që u identifikua me emrin ‘Zero Bandat’. Grupi në fjalë deklaroi se shpërthimi i mjetit ishte një mesazh kujtese për Ilia Karelin, shqiptarin që vdiq i torturuar në burgun e Nigritas.
Shpërthimi i automjetit u shënua në 8 prill në Egaleos. Automjeti i hedhur në erë i përkiste gardianit G.Baradaki.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





