Suedi, 5 maj 2014 – Ambasada shqiptare në Suedi mori me postë një pako shumë të pazakontë. Në të ndodheshin dy qese të mëdha me mbishkrimin “kanabis” dhe tre qese më të vogla me mbishkrimin “pluhur”. Ambasadori shqiptar z. Ruhi Hado njoftoi menjëherë policinë suedeze.

Pas hetimeve të hollësishme, policia suedeze e zbardhi ngjarjen. Një punonjës i saj, për shkak të një gabimi kompjuterik, e dërgoi pakon me drogë në Ambasadën shqiptare në Stokolm, në vend që ta dërgonte në laboratorin e kriminalistikës të policisë suedeze (Statens kriminaltekniska laboratorium – SKL). 

Ambasada shqiptare nuk kishte asnjë koment mbi këtë incident për mediat suedeze. Vetë dikasteri Bushati nuk e ka bërë publik incidentin, duke shpresuar, që ai të mbetej sekret.

Kolegët e medieve suedeze gjithsesi e investiguan incidentin dhe e bënë publik atë. Shpresojmë, që të njëjtin nivel transparence të ofrojë edhe Ministria jonë e Punëve të Jashtme.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/