• Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras në një intervistë televizive të dhënë në datën 13 janar, për median greke “Enicos. gr” në kulmin e fushatës elektorale e ka cilësuar të gabuar qëndrimin që Athina zyrtare mbajti në raport me Shqipërinë lidhur me çështjen e paktit detar.

29 janar 2015 –  “Gabimi” sipas Tsipras qëndron në faktin se Greqia nuk duhej t’i çelte dritën jeshile Tiranës zyrtare për anëtarësimin e saj në NATO dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian, përsa kohë Shqipëria refuzoi të miratonte marrëveshjen dypalëshe për përcaktimin e kufirit detar.

“Ne si shtet nuk bëmë ato që duhet të bënim për të ndaluar rrëzimin e kësaj marrëveshje, sepse në të njëjtën kohë që pranojmë vendimin e tyre për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje të cilën e kishim firmosur bashkarisht, i dhamë ‘dritën jeshile’ Shqipërisë për çështje që kishin të bënin me ftesën për në NATO apo Bashkimin Europian. Sigurisht që ishte edhe faji ynë që këtë marrëveshje nuk e sollëm në Kuvend për ratifikim. Pra, kemi bërë gabime në të shkuarën. Sot këto gabime po i paguajmë. Në çdo rast dua t’ju them se këto çështje duhet të zgjidhen me seriozitet dhe duke u mbështetur në ligjet e së drejtës ndërkombëtare".