Me nota ironie, ish-deputeti Astrit Patozi thotë se parandjen që asgjë e keqe nuk ka për të ndodhur andej nga teatri deri më 18 maj. Kjo është edhe data kur tre vite më parë, kryedemokrati Basha dhe kryeministri Rama bënë një pakt që e çoi vendin në zgjedhje me ministra teknikë dhe një sërë kushtesh të plotësuara për opozitën që kërkonte monitorim të procesit.

“Nuk besoj se udhëheqësi i madh i partisë dhe i popullit do t’ia prishë shijen e kujtimit të ëmbël atij përvjetori të famshëm dhe të paharruar, duke i mbivendosur një ngjarje tjetër”, shkruan Patozi ndër të tjera në Facebook

POSTIMI I PLOTË

E KAM NJË PARANDJENJË…

Dorën nuk e vë dot në zjarr, sepse kjo është qeveri e fortë, që e kap gjithmonë lepurin me qerre.

Por se ç’kam një parandjenjë që asgjë e keqe nuk ka për të ndodhur andej nga teatri deri më 18 maj.

Nuk besoj se udhëheqësi i madh i partisë dhe i popullit do t’ia prishë shijen e kujtimit të ëmbël atij përvjetori të famshëm dhe të paharruar, duke i mbivendosur një ngjarje tjetër.

Kjo ndoshta mund të kursente ndonjë orë pagjumësie të panevojshme në këto ditë jubilare.