Brazil, 10 korrik 2014 – Gjermanët u angazhuan në pushim të pjesës së parë se nuk do e poshtëronin Brazilin, edhe pse rezultati deri në atë momente ishte fatal. Ekipi i Joachim Low udhëhiqte me rezultatin 5 me 0 kur shkuan në dhomat e zhveshjes. Por mbrojtësi Mats Hummels tha se ata ishin të vendosur që të tregoheshin profesionistë pas pushimit.
“E bëmë të qartë se do ishim të fokusuar dhe nuk do përpiqeshim që t’i poshtëronim më shumë ata. Duhet të tregosh respekt për kundërshtarin dhe ishte shumë e rëndësishme që ne e bëmë këtë dhe nuk u përpoqëm që të tregonim ndonjë gjë magjike,” tha Hummels.
Por megjithë humbjen e rëndë, trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Scolari tha se ai nuk do të japë dorëheqjen. Ai tha se ka një marrëveshje me federatën e Brazilit deri të shtunën, kur do të luhet edhe ndeshja për vendin e tretë. Pas kësaj, ai tha se do ketë sërish bisedime.
65- vjeçari mbante në dorë një copë letër, ku ishin rezultatet e ekipit brazilian gjatë drejtimit të tij. Në 28 ndeshje të luajtura nga Selecao nën drejtimin e tij, ata kanë fituar 19, kanë barazuar gjashtë dhe kanë humbur tre. Sa u përket ndeshjeve zyrtare, ata kanë fituar tetë herë dhe kanë humbur vetëm njëherë, përballë Gjermanisë.
Verën e shkuar u duk se Brazili e fitoi me lehtësi Kupën e Konfederatave, duke mundur në finale Spanjën me rezultatin e pastër 3 me 0.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





