TIRANE-Partia Socialiste në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare ka ngritur dje shqetësimin se mazhoranca po synon të manipulojë zgjedhjet parlamentare të 23 qeshorit duke përdorur agjencitë e shërbimeve sekrete.
Nënkryetari socialist i komisionit, Ilir Gjoni dhe deputeti i tij i PS, Pirro Lutaj pretenduan se në njësitë vendore që drejtohen nga mazhoranca po shtohet numri i mjeteve të ushtrisë në kundërshtim me ligjin. "Situata e rendit dhe e sigurisë në vend është katastrofike. Jemi kthyer në një gjendje darviniane ku mbijeton më i forti. Kemi fakte se po bëhen përpjekje për të përdorur institucionet e sigurisë në funksion të veprimtarive politike, gjë e cila është shumë alarmante. Si mund të shpjegohet sot që po flasim taktikat që po ndjek dhe po bën drejtori i ri i SHISH. Jo më larg se tri ditë më parë ai ka shkarkuar 24 vetë, pa përmendur rastet e mëparshme, dhe ç'është më e keqja po rikthehen disa figura të cilat kanë qenë të implikuar në ngjarjet e 1997-ës", – tha Gjoni. Ndërsa Lutaj shtoi se "mjete të tëra të ministrisë së Mbrojtjes po dalin nga inventari i ministrisë dhe po i shpërndahen qarqeve që administron Partia Demokratike. Institucionet e sigurisë po i vendosni në funksion të fushatë elektorale", – tha ai.
Por në kundërpërgjigje ndaj këtyre pretendimeve, kreu demokrat i komisionit, Leonard Demi tha se këto janë insinuata politike që nuk kanë lidhje me punën e këtij komisioni. Ai shtoi se "këtu nuk jemi në fushatë elektorale. Kur të vijë ministri në këtë komision, ngrijani atij këto shqetësime. Po punojnë jo për të dëmtuar zgjedhjet por që vendi ynë të ketë zgjedhje të lira e të drejta sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare", – u shpreh Demi. Komisioni i Sigurisë vendosi ndërkohë të zhvillojë një seancë dëgjimore për situatën e rendit në vend, në 5 shkurt me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka. Të majtët thanë se krimi po mbizotëron kudo. Opozita gjithashtu ka vënë alarmin edhe për situatën e furnizimit me energji, e cila sipas deputetëve të PS, "është e gjitha në duart e kompanive serbe".
MARRËVESHJA
ME SERBINË
Në sfondin e retorikës së acaruar politike mes Tiranës dhe Beogradit, që kulmoi me post-ngjarjet e heqjes së lapidarit të ngritur në nderim të dëshmorëve të UÇPMB-së në Luginën e Presheves, qeveria ka dërguar në Parlament një marrëveshje me Kosovën, në 2 gjuhe, duke përfshirë edhe serbishten. Deputeti socialist, Arben Isaraj, tha se kjo është e pakuptimtë, dhe në këtë pikë edhe kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë Leonard Demi u detyrua ta pranojë vërejtjen e Isarajt. Madje deputeti demokrat tërhoqi edhe vëmendjen e qeverisë, në të tilla nisma. "Z.Isaraj ka shumë të drejtë, ta dëgjojnë edhe kolegët e ministrive", – theksoi Demi. Por përfaqësuesja e ekzekutivit tha se serbishtja ishte përdorur me kërkesë të palës kosovare. "Meqënëse gjuha serbe është gjuhë zyrtare e Republikës së Kosovës është kërkuar nga pala kosovare që marrëveshja të nënshkruhet në të dyja gjuhët", – u shpreh ajo. Pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, 2 shtetet mund të ekstradojnë të dënuar për vepre penale, duke përjashtuar ato krime, që kanë sfond politik.