“Plot 210 praktikantë janë punësuar para 3 javësh me kontratë 1-vjeçare nga Thirrja V e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në kuadër të Paktit për Universitetin” – bën me dije ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi në një postim në rrjetin e saj social Facebook.
Ajo nënvizon se ata japin tashmë kontributin e tyre në institucione të ndryshme qendrore, jo-buxhetore, si dhe shoqëri tregtare e aksionere.
Ndërkohë, Kushi shprehet së është takuar me një pjesë të vogël prej tyre, praktikantë të punësuar pranë MASR dhe institucioneve të saj të varësisë, nga të cilët është informuar mbi përvojën e tyre të deritanishme dhe kanë shkëmbyer së bashku pikëpamje të ndryshme se si ky program mund të zhvillohet akoma më tej.
Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në administratën publike, synon të përfshijë pjesëmarrësit në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale dhe njohjen e administratës publike.
Deri më sot, që nga nisja e këtij programi dhe përgjatë 5 thirrjeve të tij, janë zhvilluar rreth 3,700 praktika pune dhe janë punësuar afërsisht 1,000 praktikantë me kontratë 1-vjeçare pune.