Në Shqipëri, në qendrën e Gjadrit, cila do të presë migrantët që do të strehohen aty në bazë të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, punimet vijojnë ende. Hapja e saj, e parashikuar më 1 gusht, është shtyrë dhe për disa javë, për shkak të të papriturave që shoqëruan ngritjen e saj në një territor të shkretë, ndërkohë që qendra në Portin e Shëngjinit, ku migrantët do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi, është gati. Marrëveshja e cila parashikon të dërgojë në Shqipëri, migrantët e kapur në det nga autoritetet italiane, është kritikuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Dikur Gjadri njihej si një nga bazat e rëndësishme të ushtrisë shqiptare. Muajt e fundit emri i kësaj zone po lakohet gjithnjë e më shpesh, pasi aty po ndërtohet qendra ku do të priten migrantët që do të mbërrijnë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri shqiptar Edi Ram dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Fillimisht ishte parashikuar që migrantët e parë të mbërrinin në Shqipëri që në muajin maj. Më pas, gjatë vizitës së saj në qershor, në portin e Shëngjinit, në qendrën e pritjes së parë për migrantët, kryeministrja Meloni, njoftoi 1 gushtin si datën e nisjes së këtij operacioni, i cili është shoqëruar me debate të shumta dhe në Itali, për shkak të kostove të larta që shkojnë në qindra milionë euro.

Ambasadori italian Fabrizio Bucci, shpjegon për Zërin e Amerikës, se ndërtimi i qendrës në Gjadër, hasi në pengesa të papritura e që nuk mund të ishin parashikuar. “Faktori i parë, lidhet me natyrën e terrenit, i cili ishte i shkrifët. Nuk mund të ndërtonim mbi një truall që nuk ishte i qëndrueshëm. Për pasojë na u desh të bënim një punë të madhe për të forcuar terrenin. Janë ngulur në tokë, 7 mijë shtylla betoni, 13 metra të gjata dhe me një diametër prej gati 1 metër”.

Një faktor i dytë që ndikoi në vonesat e punimeve, shpjegon ambasadori, ka qenë dhe moti, me temperatura tejet të larta:”Ne zbatojmë në kantiere, normativat italiane, të cilat parashikojnë ndalimin e punës në orët më të nxehta të ditës. Kështu që në javët e fundit, jemi detyruar të bllokojmë vazhdimin e punës nga ora 11 e ditës deri në 5 të pasdites”.

Qendra e Gjadrit shtrihet në një sipërfaqe pre 70 mijë metrash katrorë. E gjithë zona është rrethura me mure betoni dhe një gardh metalik që arrin deri në 5 metra e gjysëm lartë, në një perimetër prej 2.1 kilometrash.
Kampi është i ndarë në katër zona të mëdha, njëra e cila do të jetë për personelin italian, një tjetër ku do të strehohen azilkërkuesit, ndërsa një hapësirë është dedikuar për ata që nuk përfitojnë nga e drejta ndërkombëtare për azil e që do të duhet të riatdhesohen. Në një tjetër zonë të vogël, janë krijuar mjedise paraburgimi, për rastet e personave që do të përfshihen në krime brenda kampit. Secila zonë do të jetë e ndarë me gardhe rrethuese.

Në qendër të kampit, janë kapanonet me struktura të parafabrikuara, ku do të strehohen migrantët, në dhoma për katër persona me krevat marinari, dollape një tavolinë dhe karrike. Të gjitha mjedisat janë me ajër të kondicionuar. Është parashikuar po ashtu dhe një hapësirë ku besimtarët mund të kryejnë ritet e tyre fetare. Më tej janë mjediset për dushet, apo dhe mensa, furnizimi i së cilës siç shpjegon ambasadori, do të bëhet nga shoqëritë vendase. Po ashtu banorë dhe ndëmarrje vendase do të përfshihen në ofrimin e shërbimeve të ndryshme që nga transporti deri te pastrimi. Sipas ambasadorit italian do të jenë me qindra ata që do të punësohen direkt apo indirekt, duke dhënë kështu një impakt dhe për ekonominë lokale.

Kampi i Gjadrit do të duhet të presë deri në 3 mijë persona. Por në fazën e parë pritet të jenë disa qindra, ata që do të mbërrijnë. Marrëveshja e nënshkruar në nëntor, është shoqëruar me kritika dhe skepticizëm të theksuar nga shumë organizata ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe të azilit. Në Gjadër janë parashikuar hapësira të posaçme për avokatët e migrantëve apo mbrojtës ligjor që do mund t’i ndihmojnë ata gjatë procesit të shqyrtimit të kërkesës për azil.

Po ashtu dhe në portin e Shëngjinit, pika hyrëse e migrantëve, do të ketë një dhomë të posaçme për organizatat e të drejtave të njeriut. Këtu, siç thotë për Zërinë e Amerikës, përgjegjësi i qendrës Evandro Clementucci “do të verifikohet së pari gjendja shëndetësore e migrantëve dhe do t’ju jepen veshje dhe ushqim, si dhe do të mund të bëjnë dush. Më pas do t’i nënshtrohen kontrolleve më të detajuara nga ana e personelit mjekësor, për të vijuar me identifikimin, nga ana e përfaqësuesve të zyrës së migracionit”.

Marrëveshja parashikon që në Shqipëri, nuk do të vijnë gra e fëmijë, apo familje të tëra. Falë një paraseleksionimi që do të bëhet që në bordin e anijeve italiane, në qendrën e Gjadrit do të përfundojnë vetëm migrantët me origjinë nga vendet të cilat konsiderohen të sigurta nga Italia, e ku për pasojë, mund të riatdhesohen.