Nga Armand Shkullaku
Dorëheqjet e njëpasnjëshme të dy anëtarëve të propozuar nga PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve krijuan huti dhe pasiguri për atë çka mund të ndodhë në ditët në vijim. Situatës së tensionuar pas votimit të hënën vonë në Kuvend për zëvendësimin e një anëtari të KQZ, iu shtua edhe kaosi që mund të shoqërojë procesin zgjedhor të 23 qershorit. A do të zëvendësohen anëtarët e dorëhequr të KQZ, a do ta njohë PS këtë institucion, si do të veprohet në rastin kur socialistët apo dhe LSI nuk do të pranonin të propozonin në Kuvend emra të tjerë, si do të administrohet procesi zgjedhor etj. Këto janë disa prej pyetjeve që po e shtojnë ankthin e një konflikti politik parazgjedhor, madje duke vënë në dyshim edhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Çfarë mund të ndodhë? Sigurisht që PS dhe LSI nuk do t’i lenë vendet vakant në KQZ dhe as do të braktisin zgjedhjet, por zgjatja sa më shumë e kësaj klime duket se shkon në favorin e tyre. Sepse brenda këtij reagimi formalisht më se të justifikuar të opozitës, ka edhe një element politik të rëndësishëm.
Edi Rama dhe Ilir Meta po e shfrytëzojnë (politikisht korrekt) pozitën e pafavorshme në të cilën u gjend Sali Berisha pas kapërcimit të radhës që bëri LSI. I vendosur në një kondicion të vështirë, ku duhet të zgjidhte mes humbjes së shumicës në KQZ apo rimarrjes së saj me shumicë votash në Kuvend, por me kosto të menjëhershme politike, Kryeministri zgjodhi rrugën e dytë. Pavarësisht ndërhyrjeve dhe paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, Sali Berisha nuk pranoi të tërhiqet. Votimi i të hënës i dha mundësinë e artë dyshes Rama-Meta që me zhurmën e justifikueshme për mënyrën sesi u bë ndryshimi në KQZ, të kalonin sadopak në plan të dytë reagimet për koalicionin e palavdishëm mes tyre. Atë çka gatoi Berisha me KQZ, Rama e Meta e servirën edhe për të kapërdirë shijen e prishur të çorbës së tyre. Menjëherë LSI mori rolin e opozitës së vuajtur, zbuloi se Berisha e jo Rama është problemi i Shqipërisë dhe pengesa e vetme për integrimin dhe u betua se do të luftojë deri në fund për largimin e tij (aq ditë sa kanë mbetur). Kurbani i Ilirjan Muhos u kap e po përdoret nga LSI për të hyrë në fushatë si opozitë dhe për të provuar t’i vërë kapak aferave që ende bien erë nga koha e “qeverisjes së suksesshme” me Sali Berishën.
Ndonëse bashkimi Rama-Meta u bë në emër të një sigurie më të madhe të numrave për fitoren më 23 qershor, e përziera që ajo shkaktoi e lëkundi matematikën. Të dy personazhet e të majtës shqiptare u dukën të shqetësuar në daljet publike për të justifikuar koalicionin e ri, i cili u kërkon shqiptarëve të lënë në harresë akuzat e forta për korrupsion dhe denigrimet e rënda familjare. Këtij misioni të pamundur për t’i gjetur një arsyetim sa për sy e faqe paktit mes një partie opozitare dhe një segmenti të qeverisë dy muaj para zgjedhjeve, i erdhi në ndihmë vendimi i mazhorancës për të ndryshuar anëtarin e propozuar nga LSI në KQZ. Duke zgjedhur të mos tërhiqet, Berisha i dha shansin kundërshtarëve t’i hedhin një lloj petku lakuriqësisë së marrëveshjes mes tyre: atë të mbrojtjes prej pushtetit të tij.
Rama e Meta po e luajnë fort këtë kartë, brenda dhe jashtë vendit. Tërheqja e dy anëtarëve të KQZ nuk bëhet për të bojkotuar zgjedhjet, por për të zmadhuar zhurmën dhe përmasat e aktit që kreu Berisha. Ashpërsimi i klimës politike dhe rritja e ‘rrezikut Berisha’ do të provokonte një nevojë për bashkim te populli i majtë, që mund ta tejkalonte kështu krushqinë e sforcuar me Ilir Metën. Vendimi i LSI për të bashkuar votat me PS në nivel vendor ishte një tjetër lëvizje që shkon në këtë drejtim si reagim ndaj veprimeve të mazhorancës.
Drejtuesit e PS dhe LSI do të përdorin çdo mundësi, që nga dorëheqjet në KQZ e deri te protestat para shtëpisë së Kastriot Islamit, për treguar se e keqja më e madhe mbetet Sali Berisha e se përballë kësaj të keqeje gjen justifikim edhe bashkimi i dy të këqijave më të vogla. Madje edhe vetë Ilir Meta tha në Lushnjë se vendi ka nevojë për rrotacion. Pas asaj që ndodhi të hënën, po, edhe Ilir Meta mund të flasë për rrotacion dhe Edi Rama të krenohet me të. Çorba e tyre u spostua nga menyja politike e ditës.
http://www.mapo.al/2013/04/18/pakti-rama-meta-ne-plan-te-dyte/





