Kreu i SPAK Altin Dumani, gjatë një komunikimi pa kamera me gazetarët ka shprehur keqardhjen për vdekjen e 63-vjeçarit, Pal Trashaj, i cili konsumoi fostoksinë para dyerve të Prokurorisë së Posaçme më 2 Korrik, pas mashtrimit me mikrokreditë. Dumani tha se nuk kanë në kompetencë hetimin e rasteve të qytetarëve të mashtruar me mikrokreditë dhe se në lidhje me këto mashtrime është vetëm një çështje e regjistruar.
“Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi vetëm një hetim për një objekt konkret. Nuk bëj komente.
Realisht na vjen keq për qytetarët që përplasen ne dyert tona dhe për ata persona që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi para dyerve të SPAK. Ka kërkesa të shumta nga qytetarë, ligji na e ka përcaktuar qartë”, ka thënë Dumani.