PALERMO, 4 korrik 2013 – Policia italiane arrestoi të mërkurën 24 persona si pjesëtarë të mafias, nën dyshimin se janë të përfshirë në trafikimin e drogës. 

Në mesin e të arrestuarve thuhet të jetë edhe kreu i grupit mafioz, i cili zyrtarisht punonte si drejtor në një kompani funeralesh. 

Prokurorët thonë se hetimet e tyre kanë provuar që mafia po fitonte shumë para nga droga, duke marrë parasysh se të ardhurat nga zhvatja ishin në rënie e sipër dhe për shkak të krizës ekonomike në të cilën është zhytur Italia. 

“Cosa-Nostra po rikthehet si lojtar i rëndësishëm në trafikimin e drogës. Kjo pasi klanet kanë nevojë të gjejnë mënyra tjera për t’u pasuruar”, prokurori i Palermos Francesco Messineo tha mbrëmjen e djeshme. 

“Zhvatja, përmes metodës derë-me-derë, nuk është më funksionale. Është përplot me rreziqe, dhe të ardhurat janë të vogla” shtoi ai. 

Policia ka lëshuar disa video ku shihen krime të ndryshme të këtij grupi mafioz, përfshirë tentimin për të vrarë babë e bir, dhe se si ata i kanë vënë flakën një lokali. 

Mediave po ashtu u janë ofruar edhe dëshmitë e incizimeve të shefit të këtij grupi, Alessandro D’Ambrogia, dhe krerëve të tjerë të drogës. 

“Nuk po bëjë shaka! E do Sicilinë? Ta tregojë unë ty Sicilinë”, dëgjohet njëri prej të dyshuarve në inçizimet policore. 

Hetuesit e operacionit të koduar “Alexander” thonë se kanë gjetur lidhje ndërmjet të dy klaneve tradicionalisht rivale të mafias, sesi ato kanë përdorur kanalet e njëjta të importimit të drogës nga Afrika Veriore dhe Amerika e Jugut. 

39-vjeçari D’Ambrogio-që njihet si “I Vogli” (The Little One) – dyshohet se udhëheq klanin Porta Nuova.