Vizita e zyrtarit të lartë të DASH, Brian Yee në Tiranë dhe takimet me drejtuesit e politikës në vend duket se sollën një ‘erë të re’ në negociatat mes palëve, të cilat duket se do të lëshojnë rrugë ndaj njëra tjetrës.
Kriza politike po vjen drejt fundit, teksa palët janë afruar mjaftueshëm përmes negocimit të kryer nga zyrtari i lartë amerikan.
Burime në Partinë Demokratike kanë konfirmuar se një marrëveshje shihet në horizont e fillimisht me datën e zgjedhjeve. Palët janë pranë konfirmimit të shtyrjes së zgjedhjeve, në muajin korrik.
Në tavolinë janë paketa McAllister dhe ajo e propozuar nga Rama si dhe koha se kur do të miratohet Vettingu, një pikë për të cilën ende ka pak informacione. Palët nuk kanë dakortësuar nëse vettingu do të miratohet me këtë parlament apo pas zgjedhjeve.
Kryeministri Rama ka pranuar shtyrjen e zgjedhjeve por jo më larg se data 23 korrik, një zgjidhje që deri më tani shihet si e negociueshme nga të dyja palët. Ende nuk dihet se kush do të “dorëzohet” për vendosjen me konsensus të datës së zgjedhjeve, në kushtet kur të majtët kanë filluar fushatën e tyre elektorale, ndërsa PD shpreson për një shtyrje sa më të largët në kohë të tyre.
Në lidhje me votimin elektronik ende nuk ka një marrëveshje, por mësohet se kryeministri Rama është i gatshëm të pranojë identifikimin elektronik të zgjedhësve, një proces që ndryshe nga votimi dhe numërimi elektronik, nuk kushton shumë kohë për t’u parapërgatitur.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ajo e kodit zgjedhor, i cili do të pësojë ndryshime radikale nëse do të ketë një zgjidhje të krizës politike. Negociatat vazhdojnë të jenë intensive, teksa përgjigja zyrtare pritet sot nga lideri i opozitës Lulzim Basha.
Çfarë parashikon paketa McAllister
1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
(Zgjedhja e Presidentit si pikë është e konsumuar në kushtet kur tashmë Ilir Meta është Kryetari i Shtetit)
4. Kalimi i kreut të KQZ-së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-së, pjesëmarrje të OJQ-ve në të gjithë këtë proces.





