Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë duke i “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit, pasi të mërkurën dështoi të mbahej një takim i paralajmëruar trepalësh i liderëve të të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.
“Takimet e sotme të Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien në X.
SHBA-ja, që mbështet dialogun e Brukselit, vazhdimisht u kërkon palëve t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se të mërkurën në Bruksel nuk u mbajt takim trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.
Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të dyja shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar “terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell gjatë një konference për media të mërkurën.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u arrit më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj më 18 mars 2023 në Ohër, nuk janë nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiç, sepse udhëheqësi serb nuk ka pranuar ta bëjë këtë, me gjithë këmbëngulësinë e liderit kosovar.
Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Gjatë konferencës për media, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti.
Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe Vuçiqin, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.
Pas takimeve në Bruksel, Kurti tha se ka kërkuar nga ndërmjetësit evropianë “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.
“Vetëm nënshkrimi i marrëveshjes sjell sigurinë ligjore dhe juridike në njërën anë, dhe anulon shkeljet e mëhershme”, tha Kurti.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për mediat në Bruksel se Kurti “nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë”.
Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.