Banorët e disa pallateve në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës kanë kundërshtuar riparimin e objekteve që kanë pësuar dëme të rënda një vit më parë nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Qytetarët shprehen se në këto godina nuk janë bërë verifikimet e detajuara, pasi kolonat e pallateve janë të dëmtuara.

Violeta Myhedini, anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës, banore në një prej pallateve në fjalë thotë se punonjësit e firmës kanë filluar punimet pa njoftuar banorët, duke ju dëmtuar edhe plaçkat.

“Kanë ardhur kanë prishur muret, kanë dëmtuar plaçkat brenda, pa i njoftuar (banorët). Kanë filluar stukimet me shkumë, dhe me një spruco bojë dhe ka mbaruar pallati. Ky është rikonstruksioni”, thotë këshilltarja Myhedini.

“Ne po ua sjellim vdekjen qytetarëve. Janë ata, pushtetarët që po e bëjnë këtë.”, vijon ajo ndërsa kërkon që ekspertët të bëjnë inspektimet e nevojshme.

“15 kollona i ka të dëmtuara pallati jonë dhe ata zotërinjtë thanë se ne nuk i rregullojmë sepse nuk kemi fonde. Dhe unë i kam pezulluar (punimet). Nuk e lejoj firmën, si mund të futem unë aty. Nesër bie një tërmet nuk mban njeri përgjegjësi. Nuk kemi siguri.”

“Kam kërkuar një kontroll kolonash që në fillim nuk na është bërë. Më kanë thënë shko vetë privatisht tek Instituti i Ndërtimit Tiranë. Duhet të kapësh një mik atje që të dërgosh letrat.”

“Do të bënin muret, pa parë kolonat. Duhet të shikosh edhe kolonat. Punëtorët thanë se do t’i mbyllin muret dhe do të ikim ne, kshu na kanë thënë. Si mund të mbyllësh muret ti, pa parë kolonat që janë të tëra copë?! Ne duam të bëhet çfarë është më e mira”, shprehen banorët.