Ky është pallati me vlerë 1.5 milionë euro në ndërtim e sipër, që u vendos në sekuestro preventive sot te Shkëmbi i Kavajës.
Në vijim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të shtetasit Hysen Gashi, ish-kryetarin e komunës Rrashbull, pas informacioneve që dispononte Policia, veprimet janë intensifikuar më tej për verifikimin e lejeve të ndërtimit të lëshuara për çdo objekt.
Policia informoi sot se me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro preventive”, si dhe në bashkëpunim me IKMT-në u urdhërua pezullimi i punimeve që kryheshin në objektin pallat 9-katësh + papafingo +1 kat nën tokë, me administrator shtetasin J. A., banues në Durrës, ndërtim në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Shuma e sekuestrimit kap vlerën 1.5 milionë euro, sipas çmimit të tregut.
Po sot, dy pallate të tjera dhe një bar-hotel në pronësi të Pëllumb Tudës u vënë në sekuestro preventive në qytetin e Durrësit në zonën e Plazhit, pasi ka dyshime që janë përfituar me paratë e krimit.





