Në redaksinë e “DurrësLajm” ka mbërritur kjo video, që dëshmon se një pallat i dëmtuar nga tërmeti dhe i braktisur prej vitesh është kthyer në një vatër të rrezikshme ndotjeje, pasi pirgjet me mbeturina urbane dhe inerte e rrethojnë ngado.

Godina shumëkatëshe, që ndodhet në lagjen nr.5, siç duket edhe në pamjet filmike është e mbushur me mbetje jo vetëm në katin e parë të saj, por edhe në katet më sipër.

“Na mbytën plehrat, po mbytemi nga era e rëndë çdo ditë!”,- shkruan qytetari që na ka dërguar videon.

Pallati shumëkatësh mori dëmtime të shkallës DS5 nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. I pabanuar prej gati 6 vitesh, godina nuk është shembur ende dhe shpesh kthehet në vend qëndrimi të personave të pastrehë.

I pozicionuar në mes të lagjes dhe i rrethuar nga godina të tjera, ndërtesa shumëkatëshe është kthyer në një vend depozitimi gjigand mbeturinash dhe inertesh në qiell të hapur.